Marck Zuckerberg është tashmë zyrtarisht njeriu i tretë më i pasur në botë, duke u renditur fill pas Bill Gates. Themeluesi i Facebook i ka zënë kështu vendin orakullit të Omahas, Warren Buffet në renditjen e më të pasurve të botës.
Ngjitja në renditje vjen pasi të Premten, aksionet e Facebook u ngjitën me plot 2.4%, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg. Kjo është hera e parë në histori, që të tre njerëzit më të pasur të botës e kanë bërë pasurinë e tyre në sektorin e teknologjisë.
Në vend të parë është Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, në vend të dytë Bill Gates, themeluesi i Microsoft dhe tashmë në vend të tretë themeluesi i Facebook.
Pasuria e Mark Zuckerberg tanimë vlerësohet në 81.6 miliardë dollarë, çka përkthehet në “vetëm” 373 milionë dollarë më shumë se Warren Buffet”, 87-vjecari i Berkshire Hathaway, i njohur gjerësisht si investitor me portofol mjaft të diversifikuar si dhe një armik i teknologjisë, kur bëhet fjalë për të investuar.
Ndërkohë, Facebook duket se ka tejkaluar plotësisht skandalin e pak muajve më parë, sa i përket cenimit të privatësisë së përdoruesve, me aksionet që tashmë kanë prekur rekord historik.