Për herë të parë në shumë vite, administrata tatimore ka mbledhur në pesë muajt e parë të vitit më pak të ardhura se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat në Tatime për periudhën janar-maj ranë me 1.6 për qind në terma vjetor, duke shënuar një rekord negative të papreçedentë.
Sipas Financave, në total për pesëmujorin e këtij viti të ardhurat e mbledhura nga Tatimet ishin 58.4 miliardë lekë nga 59.4 miliardë që ishin në janar-maj të vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me planin, të ardhurat ishin 5.6 për qind më të ulëta ose 3.4 miliardë lekë më pak.
Kjo është hera e parë kur të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore shënojnë rënie në terma vjetorë. Edhe në vitet më të vështira të krizës financiare, të ardhurat kanë qenë më të ulëta vetëm se sa plani i periudhës, por asnjëherë më pak se një vit më parë.
Sipas të dhënave të detajuara, rënia e të ardhurave që mbledhin Tatimet ka ardhur nga dy zëra. Ato janë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe taksa nacionale.
Të ardhurat nga TVSH ishin në pesë muajt e parë të këtij viti ishin 350 milionë lekë më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa ato nga taksat nacionale rezultuan 2.3 miliardë lekë më pak.
Të ardhurat nga TVSH janë një nga indikatorët më të rëndësishëm të ekonomisë, pasi lidhen direkt me ecurinë e konsumit. Rënia e të ardhurave nga TVSH sinjalizon se qytetarët kanë ulur konsumin dhe po shpenzojnë më pak se një vit më parë.