Edhe në një ndër plazhet më të mëdha në vend, atë të Velipojës, mungojnë rojet bregdetare. Sipas pushuesve shfaqja e tyre në në pikat e vrojtimit është sporadike.
Disa nga plazhistët tregojnë se kanë parë raste kur ka pasur pushues duke u mbytur dhe në vendngjarje nuk kishte asnjë roje bregdetare.
Gjatë këtij sezoni një person ka humbur jetën në plazhin e Velipojës dhe janë dhe tre raste kur pushuesit kanë rrezikuar seriozisht jetën në det.
Edhe në Shëngjin kullat e vrojtimit janë bosh. Aktualisht në Shëngjin janë vetëm 5 kulla vrojtimi, ndërsa privatët që kanë nënshkruar kontratat për shfrytëzimin e hapësirës publike janë shumë më tepër.
Përveçse një detyrim, moti i paqëndrueshëm gjatë këtij sezoni turistik, e bën edhe këtu të detyrueshëm vendosjen e rojeve bregdetare.