Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancën dëgjimore edhe për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri. Për koincidencë, Beluri ka pasur në dorë hetimet ndaj gjyqtarit Admir Thanza, por i ka pushuar ato. KPK tha vlerësimet e veta, duke thënë se prokurori nuk ka vepruar drejt. Sipas komisionit, prokurori ka nisur procedim penal në vitin 2016 për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv. Nën hetim ishin noterja me iniciale L.H. dhe gjyqtari Admir Thanza. Kjo çështje, nga Shkodra kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme për moskompetencë dhe më pas, ka qenë vetë prokurori Kostaq Beluri që e ka shqyrtuar dosjen. Pas verifikimeve, vendosi pushimin e çështjes. KPK arsyetoi se, nuk është kryer një hetim i thelluar që të zbardhte plotësisht ngjarjen në fjalë.
“Të mos administroheshin vetëm dosjet e Prokurorisë së Shkodrës, por edhe materiale të tjera që mund të ndriçonin rrugën e hetimit. Nuk kishte marrë informacione të plota për komunikimet telefonike mes personave të hetuar dhe atyre që kishin lidhje me ta. Nuk u gjend asnjë e dhënë për deklarimet e personave që gjenden në dosje si persona të lidhur me personat nën hetim. Nuk u çmuan përgjimet telefonike të personave nën hetim me persona të tjerë. Nuk është çmuar biseda mes L.H. dhe shtetasit tjetër për bisedën e transkriptuar se çmimi i pallatit ishte (50 mijë euro). Ka mospërputhje mes pamjeve filmike të subjektit dhe të komisionit”, tha relatorja Brunilda Bekteshi. Në lidhje me pretendimet e KPK-së sa i përket hetimit ndaj gjyqtarit Thanza, subjekti ka dhënë shpjegimet e tij, ku ndër të tjera thotë se, telefonatat e personave nën hetim i kishte vlerësuar, por ishin pa perspektivë për kryerjen e hetimeve. Sipas tij, kur Prokuroria e Përgjithshme u bë kompetente për këtë çështje, nuk kishte më zhvillime dhe situata të dyshimta.
Sa i përket, hetimit pasuror, ILDKP ka konstatuar se Beluri ka dhënë deklarime të sakta në përputhje me ligjin, ka vërtetuar ligjshmërinë e burimeve, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi. Subjekti ka një apartament në rrugën “Mihal Popi” me vlerë 1 milionë e 100 mijë lekë. E ndarë në dy njësi banimi me personin M.M., ku është deklaruar se subjekti posedon 63 m2. Burimi i krijimit është paga e vitit 1998. Subjekti ka një depozitë bankare në 2013, në vlerën 850 mijë lekë në Credins Bank, burimi janë kursimet nga paga.
Llogari rrjedhëse me gjendje 730 mijë lekë në Credins Bank, burimi është paga mujore. Po ashtu, subjekti ka edhe një depozitë bankare pa afat 30 mijë lekë tek Rafiasen Bank, burimi po ashtu nga paga. Në lidhje me pastërtinë e figurës, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës, ndërsa nga ana profesionale, Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se ka aftësi për të kryer procedurat hetimore, duke e vlerësuar shumë mirë për aftësitë profesionale.