Janë lënë në burg katër personat e arrestuar, për futjen në Shqipëri të makinave me 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit, pak javë më parë.
Kjo ka qenë masa e sigurisë që është konfirmuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda për Edi e Klevi Likën, Alban Mollaymerin, Agim Çekën.
Gjykata e Durrësit vendosi të lërë pas hekurave të pandehurit dhe shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Krimet e Rënda, duke qenë se ndaj të arrestuarve është ngritur edhe akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe po futeshin në të zezë në Shqipëri, ndërsa përveç 4 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë, të dyshuar si porositësit e parave.
Ndërkohë mësohet se hetimet për këtë rast janë shtrirë dhe jashtë vendit, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letër-porosi në 3 shtete, lidhur me të arrestuarit për gjetjen e rreth 3.4 milionë eurove në dy makina Toyota Yaris.
Letër-porosi mësohet se është dërguar në Gjermani, Belgjikë dhe Angli, nga ku pritet të merret informacion i detajuar, në lidhje me aktivitetin e katër personave që mbahen nën “arrest me burg” për këtë çështje.