Finalizohet operacioni policor i koduar “Basti i Fundit”, ku është vënë në pranga nga policia e Tiranës pronari i një pike lotoje për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” dhe “Organizim i lotarive të palejuara”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Basti i Fundit”, është arrestuar Erti Kadiu, 31 vjeç, banues në Kavajë.
Shërbimet e Policisë Kavajë, ishin në ndjekje të tij, pasi dispononin informacion se ai në pikën e tij të lotos ushtronte aktivitet të kundërligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e lotos, u gjetën doza lënde narkotike të dyshuar e llojit Kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
- 4 kompjuterë lojërash fati
- 21 doza lënde narkotike e dyshuar Kokainë
- 45 fishekë model 56
- 15 fishekë model “Parabelium”
- 9 fishekë model 54
- një sasi në lekë dhe dollarë
- peshore elektronike
- 6 aparate celularë
- mjeti tip “Ford”
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe disa dokumente shtetërore të dyshuara të falsifikuara.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.