Vendi ynë vazhdon të jetë disa herë mbi normën mesatare europiane të ndotjes.
Ekspertët thonë se nëse krahasohen dy persona të së njëjtës moshë, ai që jeton në zonë më të ndotur pëson zvogëlim të vëllimit të trurit dhe plakje të parakohshme të qelizave.
Niveli i lartë i ndotjes së ajrit, qoftë nga grimcat e pluhurit, ashtu edhe gazrat që çlirohen nga karburantet e automjeteve, ndikojnë negativisht në sistemin nervor të njeriut. Pasojat janë edhe më të rënda tek fëmijët e vegjël, pasi ka studime që e lidhin me autizmin apo zhvilimin psikomotor të fëmijës.
Enver Roshi, specialist i Institutit të Shëndetit Publik, shprehet: “Dioksidet e azotit janë elementi kryesor i formimit të smogut, që dëmton rëndë sistemin aspirator dhe nervor. Në zonat e ndotura, vëllimi i trurit të fëmijëve është më i vogël sesa i fëmijëve që jetojnë në zona me ajër të pastër”.
Niveli i lartë i ndotjes së ajrit lidhet me një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit, të cilat jo vetëm janë shtuar në vendin tonë, por kanë prekur mosha të reja, siç është skleroza multiple dhe parkinsoni.
Ndikimi i ndotjes së ajrit në tru dhe në mushkëri ka rritur vdekshmërinë tek shqiptarët. Sipas statistikave, çdo vit vdesin 38 persona për 100 mijë banorë.