Drejtori i BERZH: Jo ndërtimit te HEC-ve në destinacionet turistike, ruani kulturën dhe natyrën

Diel, 15 July 2018 08:09

Flet Matteo Colangeli, Drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri: Shqipëria duhet që t’i rezistojë tundimit të mbindërtimit në destinacionet e saj turistike kyçe dhe të fokusohet në ruajtjen e autenticitetit dhe aseteve kulturore dhe natyrore

Prej vitesh, ka një refren të përsëritur se Shqipëria ka më shumë turistë sesa struktura akomoduese të disponueshme dhe në këtë valë, qeveria miratoi një paketë lehtësuese për hotelet me 4 dhe 5 yje duke synuar zinxhirë të njohur ndërkombëtarë. Për Drejtorin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri, Matteo Colengeli, nuk është e gabuar tërheqja e emrave të njohur me 4-5 yje, por konkurrenca për këtë grup turistësh është shumë e egër. Shqipëria, sipas tij, në fazën ku ndodhet, nuk duhet të synojë rritjen e numrit të turistëve por të mesatares që ata shpenzojnë në vend.
Kjo mund të bëhet vetëm duke investuar në përmirësimin e standardeve për strukturat akomoduese ekzistuese, si dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve që ofrohet për turistët. Ai thekson në një intervistë të posaçme për Monitor se Shqipëria nuk duhet të tundohet nga ideja e ndërtimit me shumicë në zonat turistike të saj, duke ruajtur autenticitetin dhe duke shfrytëzuar pikat e saj të forta, mes të cilave është edhe agroturizmi. BERZH, së bashku me Bashkimin Europian, po hartojnë aktualisht një program me vlerë 100 milionë euro, që synon pikërisht krijimin e një industrie të qëndrueshme dhe përfshirëse të turizmit në Shqipëri.
Pak javë më parë, në një takim të Këshillit të Investimeve zëvendëspresidenti i BERZH, Alain Pilloux, përmendi në fjalën e tij një projekt që po hartohet në bashkëpunim me Bashkimin Europain me vlerë 100 milionë euro për t’u zbatuar në Shqipëri. A mundeni të na jepni disa detaje më shumë rreth këtij projekti dhe çfarë fokusi do të ketë?
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Europian po strukturojnë një program gjithëpërfshirës në mbështetje të konkurrueshmërisë së turizmit në Shqipëri. Programi do të financohet përmes një kredie sovrane nga BERZH deri në 60 milionë euro dhe një grant nga Bashkimi Europian prej 40 milionë eurosh. Do të bëhen investime në një seri projektesh, të cilët do të mundësojnë potencialin turistik të vendit, e lidhur kjo me rrugët lokale apo përmirësimin e infrastrukturës nëpër bashki dhe asaj mjedisore.
Gjysma e fondeve do të fokusohen në katër rajone prioritare Berat, Fier, Korçë dhe Shkodër – kurse pjesa tjetër do të financojë projekte të tjera në të gjithë vendin. Një pjesë e grantit të Bashkimit Europian do të përdoret për të rehabilituar pikat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Paralelisht me këto investime, programi parashikon mbështetje për bizneset mikro dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme aktive, në zinxhirin e vlerës në turizëm, duke i financuar përmes bankave tregtare, por edhe në aspektin e këshillimit për të rritur aftësitë dhe “knoë hoë”. Do të punojmë gjithashtu me bashkitë e përfshira dhe shoqatat e turizmit për të ndërtuar kapacitete.
Çfarë komponentësh ka ky program lidhur me rrugët lokale, turizmin dhe mbështetjen e biznesit të vogël?
Jemi duke punuar për këtë pjesë lidhur me prioritarizimin specifik të investimeve, që do të mbulohen nga ky program.

Çfarë ndikimi pritet që të ketë zbatimi i këtij projekti në Shqipëri parë si në kontekstin e një sektori të tërë si turizmi, ashtu edhe tek ekonomitë lokale?
Programi ka si synim rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë si destinacion, veçanërisht lidhur me turizmin e trashëgimisë kulturore. Kjo do të bëhet përmes përmirësimit të aksesit në asetet turistike të kësaj natyre, si dhe përmes përmirësimit të cilësisë së përvojës së vizitorëve, duke investuar në pikat kryesore të trashëgimisë kulturore dhe përmirësimit të shërbimeve që ofrohen nga vendorët dhe në mjedis. Sektori privat do të përfitojë gjithashtu nga përmirësimi i aksesit në financë dhe aftësitë. Së fundmi programi synon që të kontribuojë në krijimin e një industrie të qëndrueshme dhe përfshirëse të turizmit në Shqipëri.
A ka ndonjë program tjetër që do të zbatohet nga BERZH në të ardhmen e afërt, duke qenë se portofoli i mbështetjes në të kaluarën dhe aktualisht ka një vlerë të konsiderueshme. Cilët do të jenë sektorët me fokus?
Ne do të vijojmë të punojmë për projektet e infrastrukturës, kryesisht në sektorin e energjisë dhe transportit. Financimi ynë për TAP mbyllet këtë vit. Ky është financimi më i madh i bërë ndonjëherë nga BERZH, me mbi 500 milionë euro nga fondet tona, plus një këst për bankat tregtare mes 700-800 milionë eurove. Gjysma e të ardhurave nga kjo kredi do të alokohen për ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri. Në sektorin e transportit, po punojmë gjithashtu për një kredi sovrane prej 50 milionë dollarësh, e fokusuar tek ndërlidhja e rrugëv+e lokale dhe rajonale. Në sektorin e korporatave, ne duam të rrisim financimet tona, kryesisht nëpërmjet ndarjes së rrezikut me bankat komerciale. Mendoj se agrobiznesi, turizmi (përfshirë agroturizmin) dhe të rinovueshmet (energjia) kanë një potencial të veçantë në Shqipëri.
Shqipëria sot është në një situatë kur ka më shumë turistë sesa struktura akomoduese. Si mund të ndryshohet kjo situatë dhe çfarë duhet të bëjë qeveria?
Mendoj se, pas kësaj faze fillestare, kur vendi është duke vendosur veten si një destinacion turistik, fokusi nuk duhet të jetë te rritja e numrit të vizitorëve, por te mesatarja e shumës së parave që shpenzohet nga çdo vizitor. Shqipëria duhet të synojë tërheqjen e turistëve që shpenzojnë më shumë. Për këtë synim është e rëndësishme që të investosh në përmirësimin e standardeve për strukturat akomoduese ekzistuese, si dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve që ofrohet për turistët. Mendoj se modeli i agroturizmit ka potencial të madh në Shqipëri, i lidhur me diversitetin brenda vendit, mikpritjen e njerëzve dhe autenticitetin e produkteve ushqimore lokale. Shqipëria duhet që t’i rezistojë tundimit të mbindërtimit në destinacionet e saj turistike kyçe dhe të fokusohet në ruajtjen e autenticitetit dhe aseteve kulturore dhe natyrore.
Qeveria miratoi në Paketën Fiskale të vitit 2018 një seri lehtësish për hotelet me 4 dhe 5 yje, si një politikë për tërheqjen e atyre që njihen si brand name (marka të mirënjohura). Ju si e shihni këtë politikë?
Mendoj se është e qartë nevoja për përmirësimin e cilësisë së strukturave akomoduese në Shqipëri dhe duhet të bëhen përpjekje për të tërhequr zinxhirë ndërkombëtarë hotelerie në vend. Gjithsesi, konkurrenca globale për turistët me 4-5 yje është e egër dhe Shqipërisë do t’i duhet të përmirësojë dukshëm shërbimet dhe ofertat për atë që do t’u ofrojë vizitorëve dhe kjo shkon përtej standardeve të akomodimit. Mendoj se prioriteti në këtë aspekt është që të veprohet në mënyrë të vendosur në ruajtjen mjedisore, duke mbrojtur asetet kyçe natyrore të vendit. Kjo përfshin zhvillimin e zonave turistike me përgjegjshmëri dhe qëndrueshmëri, si dhe trajtimin efektiv të ujërave të ndotura dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Monitor

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...