Llogaritet në rreth 3 miliardë euro rezerva valutore që vendi ynë disponon. Open Data Albania ka hulumtuar ecurinë e rezervës valutore gjatë dhjetë viteve të fundit, pra periudhës 2007-2017. Rezerva valutore është shuma e rezervave në monedhë të huaj që mbahen dhe administrohen nga Banka e Shqipërisë. Kjo rezervë shërben për mbulimin e nevojave që ka vendi për valutë të huaj si dhe përbën një mekanizëm për të ndërhyrë në raste krizash.
Qëllimi i mbajtjes së rezervave valutore është: (a) mbështetja e politikës monetare dhe menaxhimi i kursit të këmbimit, duke përfshirë edhe ndërhyrjen për mbështetjen e monedhës vendase; (b) kufizimin e vulnerabilitetit gjatë krizave duke mbajtur likuiditet në monedhë të huaj; (c) sigurimin e besimit në tregje se vendi mund të mbulojë borxhin e jashtëm; (d) demonstrimin e mbështetjes së monedhës vendase nga aktive të huaja; (dh) mbështetjen e qeverisë në mbulimin e nevojave për monedhë të huaj dhe të borxhit të jashtëm; (e) mbajtjen e një rezerve për raste emergjencash kombëtare.
Rezerva valutore e Shqipërisë është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit. Viti në të cilin BSH ka shtuar më shumë këtë Rezervë është viti 2015. Në 2015 Rezerva Valutore e BSH u rrit me 688 milion euro më shumë kundrejt vitit paraardhës. Rritja me bazë vjetore 2015 kundrejt 2014 ishte 31.4 %.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2017, rezerva valutore ishte 2, 99 miliard euro krahasuar me 1,44 miliard euro që ishte në dhjetor të 2007-ës. Gjatë vitit 2017, rezerva valutore bruto, e vlerësuar dhe e raportuar në monedhën Euro, është rritur me rreth 50.15 milionë euro, duke regjistruar në fund të muajit dhjetor vlerën 2.99 miliard euro.
Rritja e rezervës valutore ka ardhur si rezultat i disa faktorëve, të jashtëm dhe të brendshëm. Këtu përfshihen privatizimet e aseteve publike, marrëdhëniet tregtare, rezervat e detyrueshme që bankat tregtare mbajnë në monedhë të huaj si dhe të ardhurat që Banka e Shqipërisë fiton nga investimi i rezervës valutore.
Pjesa më e madhe e rezervës valutore, rreth 63.4 për qind e saj mbahet në monedhën Euro. Monedha e dytë është dollari amerikan që përbën 22 për qind të rezervës valutore të Shqipërisë, ndërkohë që më pas vijnë SDR (një lloj monedhe për rezerva monetare ndërkombëtare krijuar nga FMN krijuar në vitin 1969 për vendet anëtare), Paundi Britanik dhe Jeni Japonez. Por veç monedhave të huaja, një pjesë e rezervës valutore mbahet edhe në Ar.