Kreditë e këqija të korporatave, ja plani i ristrukturimit jashtë bankave nga BSH

Diel, 15 July 2018 08:31

Bankat tregtare do të detyrohen me një rregullore të posaçme, të bashkëpunojnë për të ristrukturuar, jashtë gjykatës, kredimarrësit në vështirësi financiare. Banka e Shqipërisë ka bërë gati projekt-rregulloren “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare”, e cila është në fazë konsultimi dhe do të jetë e vlefshme për t’u zbatuar deri në vitin 2020.

Kjo rregullore do të ndikojë në uljen e kredisë me probleme, duke lehtësuar strukturimin e kredisë për korporatat e mëdha, nëpërmjet një procesi më të shpejtë.
Kredimarrës në vështirësi financiare cilësohet kredimarrësi individual, ose grupi i kredimarrësve të lidhur, që – është i ekspozuar në më shumë se një bankë dhe ekspozimi total i tij në të gjitha bankat është më i madh se 100 milionë lekë, detyrimi i të cilit në një ose më shumë banka ka qenë në vonesë, të paktën 60 ditë, ose kur ndonjëra prej bankave kreditore vlerëson se kredimarrësi është ose mund të jetë në vështirësi financiare dhe për këtë, i nevojitet një zgjidhje;
Rregullorja thotë se, veprimtaria e tij mund të vijojë, pavarësisht vështirësive financiare, dhe për këtë nevojitet marrja e masave për riaftësimin e tij në shlyerjen e detyrimeve, kur vlerësohet se përfitimet nga ky proces janë më të mëdha sesa nga likuidimi i biznesit.
6 masat për trajtimin jashtëgjyqësor
Masat për trajtimin jashtëgjyqësor përfshijnë të paktën një ose disa prej mundësive të mëposhtme:
1) zgjatjen e afatit të kredisë;
2) dhënien e financimeve shtesë, nëse nevojitet, për rritjen e kapitalit qarkullues dhe/ose financimin e investimeve të reja;
3) likuidimin e aktiviteteve dytësore që nuk lidhen drejtpërdrejt me biznesin kryesor të kredimarrësit;
4) rritjen e kapitalit nëpërmjet financimit;
5) kryerjen e ndryshimeve në drejtim;
6) shitjen e pasurive të luajtshme ose të paluajtshme të kredimarrësit;
7) konvertimin e borxhit në kapital;
8) çfarëdo mase tjetër që favorizon vazhdimin e biznesit dhe forcon qëndrueshmërinë e tij, duke rritur në të njëjtën kohë mundësinë e rimëkëmbjes.
Si do të bashkëpunojnë bankat
Sipas projekt-rregullores së Bankës së Shqipërisë, bankat, me qëllim përcaktimin e kushteve të përgjithshme të bashkëpunimit ndërmjet tyre, nënshkruajnë marrëveshjen e përbashkët. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet bankave nënshkruhet në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Kjo marrëveshje hartohet mbështetur në parimet kryesore për ristrukturimin e kredive. Banka e Shqipërisë asiston në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis bankave, si dhe monitoron në vazhdimësi ecurinë e këtij procesi.
Bankat, për realizimin e procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësit krijojnë strukturat, me qëllim shkëmbimin dhe analizën e informacionit, si dhe miratimin e masave më të përshtatshme për trajtimin e kredimarrësve, në varësi të kompleksitetit të marrëdhënies me ta. Në këtë bashkëpunim, ata përfaqësohen nga administratorët, të cilët kanë autoritetin e nevojshëm nga strukturat drejtuese të tyre (bankave), për të negociuar dhe për të arritur konsensusin për trajtimin e përbashkët. Marrëveshjet finalizohen, duke respektuar parimin e proporcionalitetit kundrejt madhësisë së ekspozimeve, me qëllim ruajtjen e pozitës së secilës prej tyre dhe duke vlerësuar, në mënyrë të balancuar, bankat me pozicion më të favorshëm;
Për të mbrojtur biznesin e debitorit dhe për të nxitur zgjidhjen, janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin, gjatë gjithë procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësit. Sipas rregullores së re, bankat zbatojnë trajtimin jashtëgjyqësor kur ato vlerësojnë dhe gjykojnë se, në të ardhmen, gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, dhe se kredimarrësi do ta shlyejë kredinë.
Bankat njoftojnë Bankën e Shqipërisë dhe e ftojnë si vëzhguese në takimet që do të bëhen midis tyre. Në çdo rast, bankat njoftojnë Bankën e Shqipërisë, lidhur me zhvillime të rëndësishme për këto procese.
Në procesin e trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve në vështirësi financiare, mund të përfshihen edhe palë të treta, në rolin e këshilltarëve të jashtëm, për kryerjen e analizave financiare, ofrimin e zgjidhjeve të përshtatshme, bazuar në përvojën e këtyre të fundit, si dhe për çështje juridike. Zgjedhja e këshilltarëve të jashtëm nuk duhet të kufizohet nga kostot e procesit.
BSH, si do ta kontrollojë procesin
Banka e Shqipërisë zbaton kufizimet e përcaktuara në këtë nen, në rast të mungesës së një qëndrimi të unifikuar kundrejt huamarrësit, që do të sillte rritjen e rrezikut të kredisë në portofolat e bankave individuale, duke kontribuar potencialisht dhe në rritjen e rrezikut sistemik. Kufizimet zbatohen për të gjitha bankat, të cilat nuk nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit dhe janë shkaktare për mosrealizimin e marrëveshjeve të përcaktuara.
Banka e Shqipërisë vendos për secilën bankë objektiva për uljen e treguesit të kredive me probleme për kredimarrësit e përbashkët me probleme.
Në rast të mosarritjes së objektivit të përcaktuar, BSH përcakton për bankën një normë më të lartë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Masat ndëshkuese
Të paktën një ose disa prej veprimeve të mëposhtme do të konsiderohen, sipas rregullores së re, si shkak për mosrealizimin e marrëveshjeve të përcaktuara nga ana e bankave:
a) nuk shkëmben apo shpërndan me bankat e tjera, informacion për kredimarrësin, për të cilin është në dijeni;
b) refuzon të marrë pjesë në diskutime, ose në bashkëpunimin me bankat e tjera, pa ndonjë arsye të qëndrueshme;
c) ndërmerr veprime të njëanshme për ekspozimin ndaj kredimarrësit, gjatë periudhës së moratoriumit;
d) krijon bashkëpunim të favorshëm vetëm me një ose disa prej bankave kreditore;
e) arsye të tjera që pengojnë procesin e trajtimit të përbashkët të kredimarrësve.
Si do të kryhet ristrukturimi i kredisë
Bankat, në marrëveshje me kredimarrësin, ristrukturojnë kredinë, sipas kritereve të përcaktuara në manualin e kredisë, të miratuar nga organet drejtuese. Ristrukturimi i kredisë kryhet kur, mbështetur në analizat e tyre, bankat gjykojnë se në të ardhmen gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, ose të ardhurat nga veprimtaria e tij do të rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe se kredimarrësi do ta paguajë (shlyejë) të gjithë kredinë, sipas kushteve të reja.

Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “standarde” ose “në ndjekje”, nëse ristrukturohet për herë të parë, pas ristrukturimit nuk mund të klasifikohet, në asnjë rast, më lart se kategoria “nën standarde”, deri në plotësimin e kushteve të pikës 5 të këtij neni.
Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “nën standarde”, “të dyshimta” ose “të humbura”, nëse ristrukturohet për herë të parë, pas ristrukturimit ruan të njëjtën klasë, deri në plotësimin e kushteve.
Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “standarde” ose “në ndjekje”, nëse ristrukturohet për herë të dytë, pas ristrukturimit nuk mund të klasifikohet, në asnjë rast, më lart se kategoria “e dyshimtë”, deri në plotësimin e kushteve.
Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “nën standarde”, “të dyshimta” ose “të humbura”, nëse ristrukturohet për herë të dytë, pas ristrukturimit klasifikohet në një klasë më të ulët nga kategoria në të cilën ishte klasifikuar përpara ristrukturimit, deri në plotësimin e kushteve.
Kredia, e cila është ristrukturuar për më shumë se dy herë, pas ristrukturimit klasifikohet, në kategorinë “të humbura”, deri në plotësimin e kushteve të pikës 5 të këtij neni.
Quhet e ristrukturuar
Kredia e ristrukturuar quhet si e tillë me plotësimin njëkohësisht të kushteve të mëposhtme, klasifikohet duke zbatuar kriteret e përcaktuara në këtë rregullore:
a) kredimarrësi ka shlyer në mënyrë të rregullt këstet (kryegjë dhe interes) për një periudhë prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh nga data e ristrukturimit;
b) kredimarrësi ka shlyer në mënyrë të rregullt të paktën 4 (katër) këste (kryegjë dhe interes).
Në rastin e kredive që përfshijnë edhe një periudhë “grace”, si datë e ristrukturimit, do të konsiderohet data e mbarimit të kësaj periudhe.”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...