Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Fadil Hasa. Përmes një statusi në ‘Facebook’ Kryemadhi shprehu ngushëllime për familjen e aktorit.
Aktori durrasak, i cili mbante titullin “Artist i merituar” ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të hëne pasi vuante prej kohesh nga një sëmundje e rëndë. Fadil Hasa është një aktor i shquar, i cili me rolet e tij ka shenjuar historinë e humorit në Shqipëri.
Reagimi i Monika Kryemadhit
Ndarja nga jeta e aktorit Fadil Hasa është një lajm i trishtë, është kumt dhembjeje jo vetëm për familjen e tij, po për të gjithë komunitetin e artistëve, për të gjithë artdashësit e qytetarët, të cilëve ai iu fali aq shumë të qeshura, me humorin e tij realist, të natyrshëm e plot jetë.
Duke qenë pranë familjes dhe të afërmve të Fadil Hasës në këto momente dhembjeje, iu shpreh atyre ngushëllimet dhe gjithë solidaritetin e LSI-së, por edhe nderimin dhe mirënjohjen për emrin dhe veprën e tij; Faleminderit Fadil për gjithë sa na ke dhënë, u prehsh në paqe!