Në Komisionin e Ekonomisë sot u diskutua anulimi i dy marrëveshjeve të qeverisë shqiptare me qeverinë gjermane, 17 milionë euro kredi në total të siguruara nga qeveria e Partisë Demokratike vite më parë. Kreu i Grupit të PD-së, Edmond Spaho, tha se ato pas 5 vjetësh qeverisje, nuk janë bërë efiçente nga qeveria Rama, as e para dhe as e dyta, për shkak të asaj që ai e quajti "paaftësi".
"Sot është një ditë e trishtueshme për komisionin tonë, pasi na janë paraqitur dy marrëveshje për t’i anulluar. Meqënëse po flisni për rendin e ditës... por ju dini vetëm të qeshni! Njera është për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në zonat urbane dhe rurale prej 5 milionë eurosh, që ka më shumë se 5 vite aty dhe është shqetësim i madh. Një marrëveshje – pavarësisht se qeshni ju - e papërdorur fare, e trashëguar nga qeveria jonë dhe sot që po bëni 5 vjet qeverisje, na e sillni për ta anulluar në një kohë kur ka nevojë për të financuar biznesin e vogël dhe mesëm...kur këtu s’ka punë.
Është shqetësim që po anullohet një marrëveshje prej 5 milionë eurosh për financimin e biznesit të vogël dhe mesëm me Republikën federale gjermane dhe tjetra për efiçensën e energjisë, prej 12 milionë eurosh. Anulohet sepse qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë veprim! Kjo duhet të të shqetësojë ty dhe ne bashkë, sepse fondet që na jepen - për shkak të paaftësisë dhe kontrollit edhe nga ju si deputetë - nuk dini t’i vini në jetë, nuk arrini t’i shfrytëzoni. Çfarë arsyesh jepni? Ato kanë me vite që nuk janë përdorur! Me vite të tëra që nuk keni bërë asnjë veprim! Mos na thoni çudira, po na e quani sukses të madh kur anuloni marrëveshjen!"