Ekzekutimi i çiftit në Shkodër ditën e djelë tërhoqi vëmendjen e të gjithë opinionit publik të cilët u tmerruan nga ky akt.
Ndonëse nuk janë zbuluar autorët e këtij krimi makabër, sot janë zbuluar detaje të reja. Makina e autorëve që ekzekutuan çiftin në Shkodër është vjedhur në Kosovë. Hetuesit e zbuluan këtë fakt përmes numrave serial të shasisë dhe motorit, ndërsa targat ishin të mbivendosura.
Pronari i mjetit është marrë në pyetje nga policë të Kosovës, pasi u verifikua se vjedhja ishte denoncuar disa ditë para se të ndodhte atentati ndaj Boran Bercanës dhe Silvi Ndocit.
Nga policia e Shkodrës u tha se hetimet po përparojnë dhe njëra nga pistat kryesore lidhet me aktivitetet e paligjshme të ish-policit jashtë vendit, shkruan tvklan.
30-vjeçari ishte larguar për rreth 2 muaj në Spanjë, nga ku mendohet se ka pikënisjen konflikti që çoi në vrasjen për hakmarrje të Bercanës.
Ai dhe partnerja e tij, Silvi Ndoci u ekzekutuan me automatik me silenciator mëngjesin e së dielës sapo parkuan në sheshin e pallatit ku banonin në lagjen “Naim Gjylbegu”. Dinamika e krimit u zbardh pas këqyrjes së kamerave të sigurisë.
Autori u afrua ngjitur me xhamat e Benzit dhe qëlloi me më shumë se 20 plumba fillimisht ish-policin dhe më pas bashkëjetuesen e tij. Breshërisë së plumbave u shpëtoi fëmija i mitur i çiftit, i cili qëndroi për më shumë se 5 orë në automjet bashkë me viktimat.
Vrasësi sipas policisë nuk veproi i vetëm. Me të ka qenë edhe një bashkëpunëtor, i cili e priste ne makinë. Pas krimit autorët braktisën automjetin duke i vënë flakën në hyrje të qytetit të Shkodrës.