Rezistenca e artistëve kundër arrogancës së qeverisë për ta shembur godinën e Teatrit Kombëtar ka hyrë në ditën e 35-të.
Artistët kërkojnë mbrojtjen e ndërtesës së Teatrit dhe moszbatimin e ligjit që i hap rrugë ndërtimit me PPP të teatrit dhe të kullave përreth tij. Aktorët e quajnë ligjin që parashikon dhënien e tokës publike ku ndodhet teatri një kompanie private, një skemë të pastër klienteliste antikushtetuese.
Protesta për Teatrin do të mbahet mend si ndër më të gjatat që janë zhvilluar në vend. Tubimet e para nisën që në muajin shkurt kur u bë publik projekti i ri i qeverisë.
Me mjeshtëri, mazhoranca ka arritur që të përçajë një pjesë të artistëve dhe t’i etiketojë protestuesit si njerëz që duan të ruajnë disa gërmadha dhe janë kundër zhvillimit. Kjo skemë vetëm sa ka rritur tensionet dhe paralajmëron përplasje të reja. Qeveria shpreson se duke sulmuar një pjesë të artistëve dhe duke i përçarë numri i atyre që mbrojnë teatrin do pakësohet.