Kredia për të mëdhenjtë – Në krizë gjatë gjysmës së parë të vitit

Premte, 03 August 2018 13:28

Kredia për biznesin e madh ngelet në krizë edhe për këtë vit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit qershor, kredia për biznesin e madh kishte vlerën e 176 miliardë lekëve, në rënie me afro 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vrojtimet e aktivitetit kreditues, në vazhdimësi bankat raportojnë standarde të shtrënguara të kredisë për biznesin e madh. Guvernatori Sejko, edhe në daljen e fundit, bëri sërish apel që bankat të kenë parasysh uljen e rreziqeve në ekonomi dhe rënien e nivelit të kredive me probleme.

Megjithatë, duke pasur parasysh përvojën e dekadës së fundit dhe mungesën e një konsolidimi të aktivitetit ekonomik në vend, bankat ende hezitojnë të marrin përsipër ekspozime të mëdha. Ky qëndrim konservator është i diktuar edhe nga politikat e grupeve bankare zotëruese.

Sidoqoftë, problemi i kreditimit të korporatave nuk është vetëm një çështje e ofertës. Disa korporata të rëndësishme kanë dështuar, duke e ulur kërkesën potenciale për kredi në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare.

Raporti i kredive me probleme për bizneset është rreth 17%, gati dy herë më i lartë në raport me kredinë për individë. Edhe në këtë segment raporti i kredive me probleme është reduktuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por kjo ka ardhur sidomos falë procesit të fshirjes së kredive të humbura nga bilancet.

Login to post comments