Pensionistët e fshatit e gezojnë pensionin më gjatë se ato të qytetit. Sipas të dhënave të Insitutit të Sigurimeve Shoqërore gratë pensioniste në fshat e gëzojnë pensionin për 27 vite, ndërsa gratë në qytet e gëzojnë pensionin për 25 vite.
Të njëjtat diferenca mësohet të jenë edhe për burrat. Pensionistët burra në fshat e gëzojnë pensionin për rreth 21 vite, ndërsa ata qytetit më pak se 20 vite.
Diferencat e jetëgjatësisë shpjegohen me kushtet më të mira klimaterike të fshatit me më pak ndotje. Ndotja shihet të jetë vitet e fundit shkaktari më i madh i sëmundshmërisë në vend sipas studimeve zyrtare të Ministrisë së Shendetësisë.
Nga viti 2014 koha e gëzimit të pensionit është rritur dukshëm për të dyja gjinitë si në fshat dhe në qytet.
Sipas të dhënave mesatarisht koha e pensionimit ishte 24 vite për femrat, teksa shihet se gjatë këtyre katër viteve jetëgjatësia për femrat në qytet është rritur me 1 vit, ndërsa në fshat jetëgjatësia është rritur me më shumë se dy vite.
Jetëgjatësia e shqiptarëve është rritur dukshëm vitet e fundit. Banka Botërore në statistikat e saj për Shqipërinë ka gjetur se në vitin 1961, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve ishte 62.3 vite, teksa në vitin 2015 shihet se jetëgjatësia ka rritur në 78 vjeç. Vetëm në periudhën e tranzicionit jetëgjatësia është rritur me 6 vite.
Një raport i Institutit të Shëndetit Publik thotë se jetëgjatësia në Shqipëri për vitin 2012 ishte më e ulëta në rajon për femrat (75 vjeç kundrejt 83 vjeç në Greqi, e cila kishte jetëgjatësinë më të lartë në rajon për femrat).
Për sa i përket jetëgjatësisë për meshkujt, në vitin 2012, shifra më ulët haset në Serbi (72 vjeç) e ndjekur nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi (73 vjeç).
Megjithatë raporti i ISHP shpreh nevojën për një regjistrim më cilësor të të dhënave shëndetësore në Shqipëri, sidomos për vdekshmërinë dhe shkaqet e vdekjeve P.sh., një ndryshim pesëvjeçar në jetëgjatësinë e pritshme është baraz me një rrezik vdekshmërie dyfish më të lartë në çdo grupmoshë.
Në dekadën e kaluar, vihet re një rritje e qëndrueshme për të dy gjinitë. Megjithatë, gjatë dhjetë viteve të fundit, jetëgjatësia u rrit 4.4 vite te meshkujt, por vetëm 3.1 vite te femrat.