Prej normave të ulta të interesit shqiptarët po zhvendosin kursimet e tyre drejt mundësivë më të mira për fitime.
Banka e Shqipërisë raportoi se, për të përfituar nga normat më të larta të interesit, individët kanë investuar rreth 7.3 miliardë lekë në letra me vlerë të qeverisë në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërsa depozitat e tyre në monedhë vendase janë reduktuar me rreth 2.7 miliardë lekë.
Nga ana tjetër zgjerimi i depozitave në valutë ka vijuar duke u mbështetur si nga depozitat për individë, ashtu edhe nga depozitat për biznese. Ato rezultojnë kryesisht në trajtën e depozitave pa afat.
Depozitat në sistemin bankar vijojnë të shfaqin norma vjetore e vjetore, por me një trajektore ngadalësuese në tremujorin e dytë. Raporti i tyre ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 68.1%, nga 69.6% në fund të tremujorit të parë.
Korrektuar për mbiçmimin e kursit të këmbimit, stoku total i depozitave është zgjeruar vit mbi vit me 1.7% mesatarisht në tremujorin e dytë. Banka vlerëson se, ritmet e rritjes së depozitave në valutë mbeten më të shpejta se ato në lekë. Rritja e depozitave në lekë, ndër të tjera, reflekton dhe zhvillimet e lartpërmendura të zhvendosjes së kursimeve të individëve jashtë sistemit bankar.
Në prani të normave të ulëta të interesit, struktura kohore e depozitave është zhvendosur më tej drejt përbërësit likuid.
Depozitat pa afat përbëjnë rreth 42.5% të stokut total të depozitave në sistemin bankar. Gjithashtu, agjentët ekonomikë që investojnë në terma më afatgjatë i kanë zhvendosur kursimet e tyre në depozita me maturitete mbi dy vjet, veçanërisht depozitat në monedhë vendase.
Në fund të muajit qershor, depozitat mbi dy vjet përbëjnë rreth 10.6% të stokut total.