Policia maqedonase ka shpallur në kërkim një të afërm të familjes shqiptare Pocesta, si autor i dyshuar i ekzekutimit me armë zjarri të tre anëtarëve të saj, bashkëshortëve Amid dhe Nazmije Pocesta, 55 dhe 53 vjeç dhe vajzës së tyre të vogël 14 vjeçare Anila.
Mediat shkruajnë se familja Pocesta, rezidente në Friuli, dyshohet se kishte një mosmarrëveshje mbi kufijtë e një toke në pronësi me të shpallurin në kërkim dhe dyshimet i ka përforcuar më tepër edhe zhdukja e këtij personi menjëherë pas masakrës.
E vetmja e mbijetuar e familjes Pocesta është vajza e madhe e cila kishte qëndruar në Sacile, krahinën e Pordenonit në Itali, ku ata kishin jetuar për njëfarë kohe.
Krimi i rëndë u regjistrua natën mes të dielës dhe të hënës së 27 gushtit, në Pocesta të Dibrës së Madhe.
Tre anëtarët e familjes u vranë me armë zjarri pistoletë në shtëpinë e tyre ndërsa ishin në gjumë. Ata kishin ardhur në vendlindje për pushime por edhe sepse Nazmija martonte të motrën.
Ka qenë pikërisht mungesa e tyre në festimet para dasmës dhe mos hapja e telefonit që ka alarmuar familjarët. Një kushëri i tyre ka hyrë nga dritarja e shtëpisë, ku edhe ka gjetur tre trupat e pajetë.
Të afërmit të shokuar nga ngjarja nuk e shpjegojnë dot atë që ka ndodhur.
"Ata ishin një familje e qetë, e mirë, e cila ka punuar tridhjetë vjet jashtë. Ne nuk e kuptojmë se pse dikush do ti vriste ata".
Hetuesit ndërkohë kanë mbledhur provat në vendngjarje me shpresën se mund të ketë mbetur ndonjë gjurmë e autorit, teksa kanë kryer kontrolle dhe në shtëpitë e miqve dhe të afërmeve me të cilët viktimat kanë pasur kontakte para vrasjes së trefishtë.