Kishat dhe banesat e emigrantëve në fshatin Zvirinë të Korçës kanë rënë pre e grabitjeve kohët e fundit. Nga 4 kisha qe ka fshati Zvirinë, 3 prej tyre janë dhunuar dhe iu janë vjedhur paratë nëpër arka.
“Është kthyer në një problem për fshatin, duhet të vërë dorë qeveria që të stabilizohet kjo punë. Para një javë janë vjedhur 3 kisha dhe 5 shtëpi emigrantësh dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh” – ka thënë një banor i fshatit Zvirinë.
Prifti i zonës Koço Mujo thotë se boshatisja e arkave me para është bërë shqetësimi më i madh i komunitetit . Hajdutët kanë hyrë përmes dritareve në dy prej kishave ndërsa ne kishën e Shën e Premtes kane hapur me mjete të sofistikuara derën.
“3 kisha janë grabitur kohët e fundit nga njerëz të papërgjegjësie. Kërkojmë nga shteti qe këta njerëz të ndëshkohen të vendosen para drejtësisë”- thënë prifti, Koco Mujo.
Pavarësisht denoncimit në polici ende nuk ka autorë të dyshuar për këto vjedhje, ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.