“Harrojnë” Shqipërinë?! Investitorët e huaj potencialë drejtohen në vendet e tjera të rajonit

Diel, 23 September 2018 13:45

Raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare nënvizojnë për përmirësim të rritjes së ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Parashikimet duket se janë në këtë linjë edhe për vitet në vazhdim. Një ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje janë sidomos Investimet e Huaja Direkte. Dhe “gara” e vendeve të rajonit në këtë drejtim është e ashpër. Së fundmi, mësohet se kompania e tretë më e madhe në botë për prodhimin e gomave të makinave, kinezja “Shandong Linglong Tire Co. Ltd. “, ka vendosur të investojë në një qytet verior të Serbisë 994 milionë dollarë për ngritjen e një fabrike në një periudhë 6-vjeçare. Shitjet vjetore të kompanisë vlerësohet të arrijnë në mbi 2 miliardë dollarë. Pra, në Serbi vetëm një kontratë siguroi rreth 1 miliard dollarë investim të huaj direkt. E njëjta shifër u përmend me bujë edhe nga ministri ynë i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj pak kohë më parë. Por, me një ndryshim thelbësor. Më 18 qershor, duke folur në mbledhjen e Këshillit të Investimeve që zhvilloi, ministri deklaroi se investimet e huaja direkte po njohin rritje edhe këtë vit dhe pritet të arrijnë vlerën e rreth 1 miliard dollarëve!

Dy realitete të ndryshme

SHQIPËRIA/Është fakt që investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë pësuar rritje gjatë viteve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja kishin vlerën e 291 milionë eurove. Kjo shifër është afro 47% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe ndjek ecurinë pozitive të vitit 2017, kur prekën vlerën e 970 milionë eurove. Por, cila është struktura e tyre? Investimet e huaja janë kryesisht të përqendruara në ndërtimin e veprave të rëndësishme energjetike, si gazjellësi TAP, hidrocentralet në kaskadën e Devollit, në sektorin e nxjerrjes së naftës, ndërkohë që edhe sektori financiar është një kontribues i rëndësishëm, falë injektimeve të kapitalit nga aksionerët e bankave të huaja. Më tej investimet shtrihen në sektorin e telekomunikacionit (call center), apo të fasonëve. Pra investime të vogla dhe të mesme me pak peshë në ekonomi.

SERBIA/Të dhënat zyrtare nga Serbia flasin për një vlerë të investimeve të huaja në 1,161 miliardë euro në fund të muajit të pestë të vitit, me një rritje në bazë vjetore prej 15,8%. Analistët theksojnë se ky pritet të jetë viti më i mirë në këtë drejtim, duke patur parasysh se 2017-a u mbyll me një shifër prej mbi 2,4 miliardë euro, ose 27% më shumë se viti 2016. Investitorët janë ndër emrat më të njohur në botë, duke përmendur ndër të tjera “Fiat Chrysler Automobiles“, që është eksportuesi i 15-të më i madh i Serbisë. Vetëm nga fabrika e Kragujevacit, kompania eksportoi 505,9 milionë euro në shtatë muajt e këtij viti. Ndërkohë, buxhetit të shtetit pritet t’i shtohen për pak ditë edhe 350 milionë euro. Kompania kineze Zijin Mining Group, do të paguajë 350 milionë dollar për të marrë nën pronësi 65% të kompleksit të prodhimit të bakrit “RTB Bor”, në lindje të Serbisë pranë kufirit me Bullgarinë dhe Rumaninë. Gjithashtu, kompania kineze do të investojë në impiantin me rreth 5 mijë punonjës 1,26 miliardë dollarë. Për t’iu rikthyer investimit rreth 1 miliard dollarësh të kompanisë kineze të prodhimit të gomave. Në një deklaratë zyrtare kompania “Linglong“ thekson se ndërtimi i fabrikës do të nisë në prill 2019 dhe do të zgjasë në tre faza, që përfundojnë në mars 2025. Me kapacitet të plotë fabrika parashikohet të prodhojë 13,6 milionë goma makinash të cilësisë së lartë. Kompania saktëson se kishte studiuar disa vende në Europën Lindore dhe Qendrore, përfshirë Poloninë, Çekinë, Sllovakinë dhe Hungarinë, përpara se të merrte vendimin e saj përfundimtar. “Vendosëm për Serbinë për shkak të kostove të ulëta të krahut të punës dhe të energjisë elektrike,” deklaron “Linglong“. Investimi do të kryhet në qytetin Zrenjanin me 75 mijë banorë, në Vojvodinë, pranë lumit Danub. Zona e Tregtisë së Lirë në Zrenjanin mbulon një sipërfaqe prej 98 hektarë. Pikërisht një nga shumë zonat e lira ekonomike që janë ngritur në vendet fqinjë, por që në Shqipëri, ashtu siç është bërë zakon rëndom, projektet flenë nëpër sirtare dhe premtimet i merr era.

Zonat e lira ekonomike/Në janar 2015, qeveria shqiptare miratoi shpalljen e zonës së Spitallës në Durrës me një sipërfaqe prej 500 hektarë, si “zonë të lirë ekonomike”. Por pas disa dështimesh në fund të muajit prill të vitit 2017 më në fund në tenderin për këtë qëllim u paraqitën dy oferta. Ndërsa pas shpalljes së fituesit nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave, çështja ka përfunduar në dyert e gjykatave për shkak të pretendimeve të kompanisë së renditur e dyta. Një kalvar kaq i gjatë për hapjen e një zone të lirë ekonomike, kur p.sh. vendi fqinj Maqedonia ka funksionale 12 zona të tilla dhe ku investitorët potenciale po shtohen gjithnjë e më shumë dhe interes në rritje kanë shprehur edhe ata shqiptarë. Një studim i kryer në Serbi, suksesin e tërheqjes së investimeve në këtë vend ia atribuon edukimit primar dhe atij të lartë të fuqisë punëtore, infrastrukturës, teknologjisë, madhësisë së tregut dhe qasjes në tregjet e tjera jashtë vendit. Një tjetër faktor kyç i suksesit të investimeve në Serbi janë cilësuar edhe zonat e lira që janë krijuar në territore të ndryshme. Madje edhe “Financial Times“ i ka cilësuar dy zona të lira ekonomike në Serbi si dy ndër zonat më të mira në botë. Për të mos folur më tej për lehtësitë e shumta fiskale që ofrojnë këto vende për thithjen e Investimeve të Huaja Direkte.

Paralajmërimi i Bankës Botërore/Në muajin tetor 2017, Banka Botërore, në një projeksion të fundit për Shqipërisë, thekson se investimet e huaja direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Sipas Bankës, këto investime do të arrijnë në 8.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2017, nga 8.7 për qind që ishin në 2016-ën. Ndërsa, në vitin 2018 nuk pritet të jenë më shumë se 7 për qind e PBB dhe në 2019-ës do të jenë 5.6 për qind e PBB-së. Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Në këto projeksione, Banka Botërore i vinte theksin me urgjencë reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet. Nga Dorian Koça/SCAN Magazine

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...