Është bërë publike procesverbali i kallëzimit të nën komisarit të Krujës, Emiljano Nuhu në komisariatin numër 6 në Tiranë.
BalkanWeb raporton se më 30 korrik 2018, Nuhu kallëzoi në polici se u kërcënua nga Redjan dhe Ramazan Rraja, nipër të deputetit të PS Rrahman Rraja. Emiljano Nuhu jep detaje në polici në lidhje me bisedën e bërë në lokalin ‘Rich Mond’ ku ndodhi takimi mes tyre.
Oficeri Nuhu pretendon se kushërinjtë Rraja e kanë kërcënuar me jetë duke i thënë se nëse nuk heq dore nga hetimi i çështjes se Xhisieles do ta zhdukin brenda 24 orëve.
Ish oficeri Emiljano Nuhu ndodhet në një nga vendet e BE-së pas intervistës së tij, ku shprehej se i ishte vënë pistoleta në kokë në sy të deputetit Taulant Balla dhe Rrahman Rraja për çështjen ‘Xhisiela’, ku ishte i përfshirë djali i Rrajës.
Djalit i deputetit socialist Rrahman Rraja akuzohet për dhunimin e ish të dashurës Xhiseila Maloku. Rexhep Rraja u arrestua dje pas urdhrit të Gjykatës së Krujës e cila ka dhënë ‘Arrest me burg’ në mungesë për të riun e akuzuar për dhunimin e Xhiseila Malokut.
Vendimi i gjykatës vjen edhe pas administrimit të aktit të ekspertizës për të renë e dhunuar dhe e torturuar nga Rraja. Ai është dërguar në ambientet e drejtorisë së policisë Durrës.