Pak ditë pas ultimatumit dhënë nga Kryeministri për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe kazinove brenda 31 dhjetorit 2018 duket se po ndjehen efektet e para. Një pjesë pikave të basteve kanë nisur të heqin tabelat e vendosura sipër bizneseve duke i paraprirë situatës. Tashmë në rrugët e Tiranës nuk është vështirë të gjesh nga ato biznese që operojnë në këtë sektor të cilët edhe pse kanë lënë funksionale pikat e basteve kanë vendosur të heqin shenjat dalluese si logo, tabela apo xhama të loguar.
Sakaq agjentët e tregut imobilar theksojnë se kanë nisur rastet e para të atyre që kanë shkuar për të listuar pasuritë e paluajtshme që aktualisht shërbejnë si pika bashtesh por që nga 1 janari do të jenë bosh. “Pas daljes së projektligjit kemi dhe rastet e para të atyre që kanë ardhur për të listuar pasuritë e paluajtshme për tu dhënë me qira. Për shembull në një rast tek stadium Dinamo klienti ka kërkuar që dyqani i tij 200 metra katror që shërbente si pikë baastesh, me një qira mujore prej 4 mijë euro, të nxirret për t’u dhënë me qira për ndonjë biznes tjetër” shprehet Xheni Jahja nga Tirana Real Estate.
Të martën e kësaj jave në një dalje para mediave Kryeministri Edi Rama tha se ligji për lojërat e fatit do të ndryshojë duke shtuar edhe pikat e basteve sportive tek aktivitetet që nuk do të funksionojnë më pas 31 dhjetorit 2018 ndërkohë që e njëjta gjë vlen edhe për kazinotë elektronike.
Sipas ligjit, duke nisur nga data 31 dhjetor 2018, do të pushojnë së funksionari të gjithë kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive. Si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj me qen apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.
“Ndërkohë po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati. Dhe tej argumentit të biznesit, të të punësuarve, të ardhurave të cilat për hir të së vërtetës janë thuajse dyfishuar në raport me të shkuarën nga 1 janari 2019 nuk do të ngihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues, s’do ngrihet asnjë qepen kazinoje elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometra katrorë të Republikës së Shqipërisë” do të shprehej Rama në fillim të kësaj jave.
Qeveria ka kaluar dy projektligje dhe një vendim lidhur me masat për lojërat e fatit. Ndër të tjera përveç ndalimit të basteve sportive është sanksionuar një ristrukturim i plotë i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit aktiviteti I të cilit është pezulluar deri në përfundim të procesit. Monitor