Ardian Vehbiu: E kam të vështirë të kuptoj si votuan për shkatërrimin e një monumenti kulturor

Hënë, 29 October 2018 20:39

Arkiteti i njohur Ardian Vehbiu ishte sot i pranishëm në protestën kundra shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai është shprehur se e ka të vështirë të kuptojë sesi votuan deputetët e PS-së për shkatërrimin e një monumenti kulturor.

“Unë jetoj jashtë vendit dhe nuk jam këtu. Si ndërtesë, si kujtesë, si institucion më ka prekur ajo bërthama e një shoqërie civile që deri më tani i ka munguar Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Është një lëvizje që ka lindur vetevetiu dhe nuk ka marrë fonde nga parti politike, kjo është ajo që jeni ju sot. Ky është një problem shumë serioz se nuk ka lidhje vetëm me teatrin por me mënyrën sesi po bëhen gjërat këtu. Nuk është çështja thjesht tek një vendim politik por është te qasja që po bëjmë ndaj problemeve të tilla.

E kam të vështirë të kuptoj se kjo gjë përfundoi e votuar në parlament, për të shkatërruar një monument kulturor. Ndoshta ngaqë jetoj larg ndoshta. Një deputet i cili ka votuar pro shembjes nuk e di është krenar për këtë gjë? Nuk e di. A ka bërë një akt qytetar apo ka ngritur thjesht një karton? Nuk e kanë kuptuar që këtu ka të bëhet me një gjë shumë të rëndësishme,identitetin tonë?” , u shpreh Vehbiu.

Ndërsa Robert Budina tha se edhe sot në takimin me ambasadorin Soreca mbajtën të njëjtin qëndrim.

“Nuk lëvizëm edhe sot nga qëndrimi jonë. Ishim te vendosur dhe fjala jonë shkoi sërish në BE dhe mendoj se do të ketë efekt. Nuk mbaron ketu. Ne do bëjmë edhe përpjekjet tona. Nesër në orën 18:00 protesta e rradhës.”, u shpreh Robert Budina.

Login to post comments