Maqedonia u rendit e para në rajon dhe e dhjeta në botë për klimën e të bërit biznes në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing Business 2019”. Ky certifikimin e ka bërë vendin fqinjë të suksesshëm në këtë dekadë për thithjen e investimeve të huaja. Shumë kompani të huaja që fillimisht kanë pasur interes të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, por me pas kanë zgjedhur Maqedoninë për shkak të lehtësirave dhe taksave të ulta.
Por dy vitet e fundit edhe bizneset shqiptare kanë parë me interes të investojnë në Maqedoni sidomos në linjat e prodhimit.
Kompania Sagen në shtator të këtij viti nisi investimin Maqedoni për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë ilaçe. Sipas të dhënave nga projekti atje do të prodhohen tretje infuzive dhe ilaçe gjenerike, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë për eksport. Projekti i kompanisë shqiptare në Maqedoni është 20 milionë euro dhe synon të punësojë rreth 300 persona.
Grupi më i madh në Shqipëri, Balfin, njoftoi se do të investojë 100 milionë euro këtë vit në një projekt që kushton gjithsej rreth 180 milionë euro, në zhvillimin e një zone shumëfunksionale në periferi të Shkupit në Maqedoni. Kompania Agna Group gjithashtu ka lajmëruar për zhvillimin e një linje prodhimi për biskotat në Maqedoni, e cila është projektuar të jetë më e madhja në Rajon.
Maqedonia sipas raportit të Bankës Botërorë të “Doing Business 2019”, renditet në të 10 kriteret kryesore shumë para Shqipërisë. Shqipëria u rendit e 13 në botë për lejet e ndërtimit ndërsa Shqipëria në vendin 151 të në botë. Maqedonia u rendit në vendit e 57 për aksesin në energji, Shqipëria në vendin e 140-të. Në lehtësitë e pagesës së taksave Shqipëria u rendit e 122-ta e në botë, ndërsa Maqedonia e 31 në botë. Barra fiskale në Maqedoni është më e ulëta në rajon dhe në Shqipëri më e larta. Sipërmarrjet shqiptare paguajnë në total taksa dhe kontribute që janë sa 37.3% e fitimeve të tyre, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”. Ky nivel është më i larti në rajon edhe në krahasim me Serbinë, që ka nivele taksash të ngjashme me ne. Bizneset serbe paguajnë taksa e kontribute sa 36.6% të fitimeve. Maqedonia është shteti me barrën më të ulët të taksave për bizneset, me vetëm 13.3% të fitimeve (bizneset në Maqedoni paguajnë vetëm tatimfitimin dhe taksat bashkiake). Më pas renditet Kosova, që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22% dhe Bosnja me 23.7%.Maqedonia e ka normën e tatim fitimit 10%, ndërsa në Shqipëri është 15%. Një tjetër element me të cilin Maqedonia ka tërhequr investitorët është përmes zonave të lira ekonomike.
Banka e Shqipërisë raportoi se stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit në fund të 2017-s arriti në 1.2 miliardë euro. Kjo shumë është e barabartë me 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe është sa 19% e stokut të Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë. Por ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohojnë se shuma prej 1.2 miliardë eurosh që shqiptarët kanë investuar jashtë përfshin brenda saj banesat e blera jashtë, të cilat klasifikohen si një formë investimi.
Në Maqedoni, ka një mbizotërim të prodhuesve të automjeteve, me kompanitë e huaja perëndimore dhe amerikane, që kanë investuar ndjeshëm vitet e fundit, të tërhequr nga lehtësitë fiskale, që shteti maqedonas u ka ofruar investitorëve përmes zonave të lira ekonomike, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe eksporteve në vend. Investimet e tyre janë të vogla në vlerë absolute, duke u luhatur në 20-30 milionë euro, por efekti në punësim ka qenë i konsiderueshëm. Tre prej tyre ndodhen në renditjen e më të mëdhenjve.
Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.5 miliardë euro në 2017-n, teksa ka rreth 800 të punësuar. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoni, teksa të ardhurat e tij janë sa 75% e gjithë eksporteve shqiptare (që ishin rreth 2 miliardë euro në 2017-n, sipas INSTAT).
KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej 150 milionë eurosh dhe renditej në vend të shtatë në 2017-n. Kompania ka mbi 4300 të punësuar. Qeveria maqedonase nënshkroi një kontratë me kompaninë gjermane Kromberg & Schubert në dhjetor të vitit 2011 dhe dy vjet më vonë, në tetor 2013, ata hapën një fabrikë për prodhimin e kabllove të makinave, të vendosura në zonën industriale Zhabeni, pranë Manastirit. Investimi ishte rreth 20-26 milionë euro. Qeveria maqedonase e ka përshkruar fabrikën Kromberg & Schubert në Zhabeni si investimin më të madh, sa i përket numrit të punonjësve, në historinë e Maqedonisë vitet e fundit.
Fabrika e re e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, renditet në vendin e 10, me të ardhura prej 135 milionë eurosh tre vjet pas hapjes së aktivitetit. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni. CEO Filip Van Hool e ka shpjeguar kështu zgjedhjen e Maqedonisë, në momentin që vendosën të bënin investimin: “Van Hool dëshiron të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në tregun amerikan. Nga fillimi ishte e qartë se ne nuk mund të ndërtonim 300 autobusë standardë në Belgjikë: kosto ishte e shtrenjtë, mbi të gjitha për shkak të pagave të larta për ndërtimin e autobusëve të standardeve bashkëkohore. Pas një analize të detajuar të disa mundësive, vendosëm të ndërtojmë një fabrikë të re në Maqedoni. Vendi, megjithëse nuk është anëtar i BE-së, është megjithatë shumë i orientuar drejt Europës. Klima e favorshme e investimeve, së bashku me kushtet e punës dhe aftësitë e fuqisë punëtore të motivuar, na nxitën që të bëjmë një investim prej 25 milionë eurosh në Maqedoni”, ka pohuar ai në momentin e përurimit. Sot, fabrika ka rreth 400 të punësuar.
Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 27%