Një shtetas italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Franca është arrestuar në aeroportin e Rinasit.
Arrestimi provizor i Alessandro Giorgi, 41 vjeç, banues në Itali është bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas me qëllim ekstradimin drejt Francës.
"Ky shtetas është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Parisi/Francë, pasi Gjykata De Dresse në Francë ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi” parashikuar nga nenet 313/1, 313-1 Al.2, 313-7, 323-8 të Kodit Penal Francez" informoi policia e Shtetit.
Mësohet se 41 vjeçari po udhëtonte nga aeroporti i Romës në drejtim të aeroportit të Rinasit, ku dhe u bë arrestimi provizor i tij.
Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit në Tiranë.