Revista Monitor, e specializuar në fushën e ekonomisë, ka publikuar një editorial me titull “Kriza e sovranit”, ku trajton rritjen e borxhit publik për shkak të koncesioneve që po jepen nga qeveria e Edi Ramës.
Editoriali me titull: “Kriza e sovranit”
Laku i borxhit publik në rritje po shtrëngohet aq shumë, sa po tenton të fusë në krizë të paprecedentë edhe sovranin. Të paktën deri tani, qeveria pretendon se borxhi publik në 2017-n ishte 70% e PPB-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit do të raportojë në Kuvend për një vlerë më të lartë, të paktën 72%.
Të dyja këto shifra do të duhet të votohen nga Parlamenti. Por cila është më e sakta, ose më mirë, cila është e vërtetë prej tyre? Sepse të dyja nuk mund të jenë. Kjo situatë nuk pasqyron thjesht krizën e kredibilitetit të shifrave, por krizën e shtetit, sepse si qeveria edhe KLSH janë dy autoritete kushtetuese të votuara nga Parlamenti dhe të dyja duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji. Përderisa kemi dy pretendime të ndryshme, thelbi i problemit bëhet i qartë. Financat publike duket se kanë dalë nga kufijtë e ligjit që përcakton qartë se si rrjedh dhe pasqyrohet borxhi publik.
Por pse ndodhi kjo tani? Ngjizja e krizës lidhet politikisht me qasjen që qeveria ka ndaj koncesioneve. Ajo angazhohet që të shlyejë paratë që do të investohen nga privati, por pa e përfshirë këtë detyrim si borxh. Ndërkohë, qeveria, megjithëse krijon një borxh, nuk jep llogari për koncesionet në Kuvend. Po shikojmë që për koncesione të ndryshme aplikohen formula të ndryshme shlyerje, çmimet e koncesioneve janë shumëfishuar, kanë kapërcyer të paimagjinueshmen si p.sh., në koncesionin e deklaruar së fundmi për ndërtimin e rrugës Kashar – Thumanë, i cili e ka koston e ndërtimit të një kilometri më të lartë se Rruga e Kombit (rekordi historik dhe për të cilin pati hetime).
Në çdo rast, ky koncesion që vjen si një detyrim për t’u shlyer përmes taksave që paguan publiku, në asnjë rast nuk pasqyrohet në tabelat e buxhetit dhe mbetet për rrjedhojë jo vetëm jashtë kontrollit parlamentar, por jashtë kontrollit të publikut. Por ama ky borxh do të paguhet nga taksat e shqiptarëve, dhe mungesa e pasqyrimit të tij në buxhetet e çdo viti e fsheh raportin mes taksave të paguara dhe investimeve, si dhe të mira të tjera publike që duhet të kthejë mbrapsht qeveria.
Formalisht duket sikur kemi stabilitet makro, por poshtë tij fle bomba e borxhit të fshehur nga koncesione, që pritet të arrijnë në 3 miliardë euro, ose ¼ e PPB-së. Borxhi i koncesioneve dhe detyrimet e prapambetura, që kanë arritur në 1.7% të PPB-së, nga njëra anë, dhe paaftësia për të rritur ekonominë dhe të ardhurat, janë një flakë që dikur e dogji Greqinë.
Për të paguar këtë borxh që po rritet drejt së ardhmes e që nuk mund të fshihet më, siç po mundohet të bëjë qeveria, ka dy opsione, ose të rrisë më tej taksat, ose të ulë shpenzimet. Të dyja këto janë goditja më e rëndë dhe më e drejtpërdrejtë që merr mirëqenia e çdo qytetari shqiptar. Ka edhe një mënyrë të tretë, që është rritja e përshpejtuar e ekonomisë, aq sa të rikuperojë borxhin përmes reformave të forta. Por këtu ka dyshime të forta sepse, siç tregoi edhe raporti i fundit i “Doing Business”, Shqipëria rikuperoi vetëm dy vende nga renditja në pjesën e poshtme të tabelës së Bankës Botërore dhe ishte e parafundit në rajon. Në vend është vështirë të bësh biznes dhe të presësh që rritja ekonomike të kapërcejë borxhin që po krijohet, duket utopi.
Analiza ndërkombëtare po përvijon një tjetër valë krize ciklike të ekonomisë globale dhe qeveritë këshillohet të jenë të përgatitura. Por siç duket, me këtë borxh të lartë publik, si një lak shtrëngues që do të mblidhet dhe më shumë në të ardhmen, hapësirat për të marrë frymë mbeten të vështira. Ndaj sa më parë, sa më shpejt, mënyra se si paratë publike duhet të shpenzohen, të kthehen brenda ligjit dhe të kontrollohen nga publiku. Ndoshta këtë gjë, rilindja nuk do ta bëjë, siç ka demonstruar me kokëfortësi, pavarësisht kërkesave të përsëritura edhe nga institucionet më serioze ndërkombëtare. Por, ama, publiku duhet ta dijë se çfarë menyje po iu ofron tepsia e pushtetit dhe që duhet të gëlltisë edhe për disa vite rresht në të ardhmen. *Editorialin e plotë të ‘Revistës Monitor’