Italia ka dorëzuar përsëri projekt-buxhetin te Komisioni Europian, me të njëjtat objektiva të rritjes ekonomike dhe të deficitit buxhetor, por duke projektuar rënie të borxhit. Rënia e borxhit, që Italia synon ta arrijë duke përdorur fonde nga privatizimi që arrijnë në 1% të PBB, pritet të trajtojë një nga çështjet kryesore që Komisioni Europian pati në buxhetin e mëparshëm që u refuzua.
Megjithatë, plani i rishikuar i shpenzimeve synon ende rritjen e deficitit strukturor me 0.8% të PBB në vitin 2019, në vend të uljes me 0.6% që kërkonte Bashkimi Europian. Deficiti, së bashku me projeksionet për ekonominë që Komisioni i sheh si të pajustifikuara, pritet të sjellë përplasje me Romën dhe Brukselin, që do të gjykojë buxhetin e rishikuar më 21 Nëntor. Rregulat fiskale të BE kërkojnë që Qeveritë me borxh të madh si Italia të ulin deficitin strukturor dhe borxhin çdo vit.
Komisioni Europian, që detyron zbatimin e ligjeve, mori në konsideratë procedurat e disiplinës kundër Romës, për nivelin e lartë të borxhit. Tashmë Qeveria populiste e Italisë pret që borxhi publik të bjerë në 129.2% të PBB në 2019-ën, 127.3% në 2020-ën dhe 126% në vitin 2021, nga 130.9% që pritet këtë vit. Italia ruajti projeksionet për ekonominë, për një rritje me 1.5% në 2019-ën dhe 1.6% pas dy vitesh, pavarësisht se Komisioni pret që ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës të rritet me 1.2% ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar e sheh në 1%.
Objektivi për deficiti buxhetor i Italisë qëndron në 2.4%, nga 1.8% që pritet këtë vit, për të financuar premtimet elektorale. Komisioni nga ana tjetër, mendon që rritja e ngadaltë ekonomike dhe kostot më të larta të shërbimit të borxhit, të rrisin hendekun në 2.9% vitin e ardhshëm dhe 3.1% në 2020-ën.