Taksat që rëndojnë biznesin – 11 në total, sigurimet shoqërore janë pagesa më e “kripur”

E mërkurë, 14 November 2018 17:05

Të bësh biznes në Shqipëri është e vështirë edhe për shkak të taksave. Jo më kot, Banka Botërore në raportin më të fundit të të bërit biznes, na rendit në vendin e 122-të në botë në drejtim të pagesës së taksave, ose të fundit në rajon. Një biznes shqiptar duhet të paguajë plot 11 taksa, të cilat përkthehen në 35 pagesa vjetore, duke qenë se ato paguhen me frekuenca të ndryshme në varësi të llojit të taksës.

Pagesa e këtyre taksave merr rreth 252 orë në vit, dhe përkthehet në 37.3% të fitimit, po aq sa një vit më parë. Në të dy këta indikatorë, Shqipëria është më keq se mesatarja europiane, si në drejtim të kohës që duhet për të paguar taksat, ashtu edhe në drejtim të kostos së tyre.

Taksa për sigurimet shoqërore është ajo që e vret më shumë një biznes mesatar shqiptar, pasi i heq 16.9% të fitimeve, thotë vetë Banka Botërore. Kjo lloj takse paguhet çdo muaj, kur edhe hidhen rrogat e punonjësve.

Taksa e dytë për nga barra fiskale është ajo koorporative, që heq 14.01% të fitimit të një biznesi mesatar të marrë në analizë nga Banka Botërore, që në rastin konkret është një luleshitës. Kontributet që duhen derdhur për sigurimet shëndetësore përkthehen në 1.92% të fitimit, ndërsa ajo për taksat bashkiake në 1.42% të fitimit, ajo për pronën në 1.21%, ajo për ndërtesën në 1.06%, ndërsa ajo për pronën në 0.12%.

Taksat e mbetura ndërkohë janë të pallogaritshme ose indirekte, si TVSH, taksa për qarkullimin që përfshihet te çmimi i karburantit, apo taksa mbi punën. Pra, në total, janë 11 taksa, të cilat drejtpërdrejtë apo jo, peshojnë mbi biznesin shqiptar.

Login to post comments