Rrjeti elektrik i shpërndarjes ka pësuar defekte për shkak të motit të keq me reshje bore dhe erë të fortë, duke shkaktuar mungesë energjie për banorët. Në këtë kuadër, OSHEE njofton se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për situatën e krijuar nga moti i keq.
Sipas OSHEE, zona më e prekur nga moti i keq ka qenë zona e Korçës ku janë konstatuar përcjellës të këputur të linjës 35 kV, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh.
“Si pasojë e terrenit malor, brigadat e punonjësve të OSHEE e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë në zonat e thella. Me ndalimin e reshjeve dhe pastrimin e rrugëve nga borëpastrueset, ka rinisur sot herët puna në terren”, thuhet në njoftimin e OSHEE-së.
Sipas informacionit të orës 10:00 të dispeçerisë së tensionit të mesëm dhe të ulët në kompaninë OSHEE, është normalizuar situata e furnizimit me energji në zonën e Dardhës, Voskopojës, Fushë-Maliq, Podgorie, Sheqeras, Bitinckë, Komuna Qendër.
Gjithashtu energji ka marrë dogana Kapshticë si dhe është vendosur në punë linja 35 kV Maliq-Lozhan që kishte përcjellës 35 kV të këputur. Është normalizuar furnizimi me energji i nënstacionit Lozhan dhe kanë marrë energji komuna Moglicë dhe Hecet (Strelca, Verba).
Ndërkohë, aktualisht janë pa energji elektrike disa fshatra, më konkretisht: Stravaj, Mjeshovë, Cakran, Kumë, Lekbibaj, Fajza, Kacinar, Luf, Vithkuq, Trebinjë, Miras, Progër, Velçan, Lozhan, Voskop, Liqenas, Hocisht, Ploçisht, Drenovë.