Skandaloze, policia ka shoqëruar edhe fëmijët në Komisariatin nr.6

Hënë, 19 November 2018 18:34

 Banorët e Unazës së re vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë në rezistencë ndaj dhunës policore dhe vendosmërisë së strukturave të shtetit për të iu prishur shtëpitë. Nën prezencën e forcave të shumta policore banorët marrin fjalën njëri pas tjetrit duke apeluar për mosprishjen e shtëpive të tyre, uljen në dialog me strukturat shtetërore, të marrin dëmshpërblimin dhe pastaj të lirojnë shtëpitë. Asnjë prej banorëve nuk është kundër projektit, por ata kërkojnë që të marrin çdo cent të mundur dhe djersës së tyre të investuar në gjatë këtyre viteve të tranzicionit në banesat dhe bizneset e tyre. Në fjalën e tyre, ajo që spikati ishte dhe kërkesa për lirimin e të të arrestuarve kur sipas folësve në komisariat janë shoqëruar edhe fëmijë në Komisariatin nr.6 dhe se ata janë të pafajshëm ndaj urgjentisht duhej të liheshin të lirë të vinin pranë prindërve.

Mësohet se në polici janë shoqëruar Gëzim Sadikaj, Edmond Frangu, Arben Qyrani, Armando Gishto, Shpëtim Billo dhe  Paolo Ahmetcenaj, 17 vjeç. Banorët kanë tentuar të prishin rrethimin e kantierit të parë që është ngritur për të ndërtuar  “Unazën e Re” dhe janë përplasur me policinë.  FNSH dhe policia nuk ka lejuar banorët  të futen në kantier por këta të fundit kanë mundur.  “Nuk largohemi pa na sjellë vëllezërit tanë. Ky është një turp po kërkojmë të drejtat tona. Nuk na merrni dot tokat pa na dëmshpërblyer. Mos na bëni presione ditë e natë. Na vini me makina të shtrenjta dhe na bëni presion. Nuk kemi frikë nga ju, lironi djemtë tanë. Mos i provokoni qytetarët, shikoni hallet tuaja. Do ta bësh ’97 ‘Unazën e Re’, shtëpitë do i mbrojmë me gjak.”, shprehen qytetarët.  Sot është dita e 16-të protestës dhe ata kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut nëse banesat e tyre prishen nga projekti i “Unazës së Re”.

Modifikuar më Hënë, 19 November 2018 18:41
Login to post comments