Prokurimet publike vijojnë të shkaktojnë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Në sitën e KLSH-së ka kaluar spitali i Gjirokastrës i cili rezulton që ti ketë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën e mbi 46.8 milionë lekë.
Konkretisht ky dëm është shkaktuar në fushën e prokurimeve publike me vlerë mbi 14 milionë lekë, si dhe shpenzime pa efektivitet me vlerë e mbi 32.7 milionë lekë. Dëmi është shkaktuar në medikamente, asgjësim materialesh, vendime gjyqësore si dhe në zhveshjen e aseteve.
Shkeljet që janë bërë në fushën e prokurimeve publike lidhen me faktin se për kompanitë që kanë fituar tendera për medikamente dhe pajisje mjekësore, jo vetëm që nuk kanë paguar tarifë ditore për vonesat, por nuk kanë dorëzuar as medikamentet me cilësinë e kërkuar në kontratë.
Nga blerja e medikamenteve, materiale mjekësore dhe kite e ragente të pa planifikuar mire pa marrë gjendjen e Farmacisë apo pa llogaritur konsumin mesatarë ndër vite dhe mbi të gjitha pranimi i mallrave jo në përputhje me kontratën por me një afat skadence shumë të afërt u konstatuan barna të skaduara në vlerën prej 2.6 milionë lekë, vlerë e cila përbën efekt financiar negativ për Institucionin.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në dëmin ekonomik që ka shkaktuar ky spital ndaj buxhetit të shtetit lidhet me largimet nga puna pa të drejtë të punonjësve.
Këta të fundit kanë kërkuar dëmshpërblim nga spitali me vendime të gjykatave në vlerën e mbi 13.5 milionë lekë.