Rritja galopante e parave nga trafiqet e drogës dhe burimet e tjera kriminale e kanë shtyrë Këshillin e Europës ta vendosë Shqipërinë nën mbikëqyrje të rreptë për pastrim parash. Syri.net publikon dokumentet ekskluzivë që tregojnë se në korrik të këtij viti, Komisioni i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit e ka vendosur Shqipërinë në listën e vendeve nën vazhdim të thelluar. Në verën e këtij viti, Këshilli i Europës kishte programuar të publikonte raportin e radhës për situatën e pastrimit të parave në Shqipëri.
Ekspertët që punuan në terren kishin përgatitur dhe draftin final të raportit, por gjatë seancës shumë antarë të Komisionit Moneyval në Strasburg, kanë shprehur rezerva dhe nuk kanë dhënë dakortësinë për raportin final. Edhe pse delegacioni shqiptar ka kërkuar që vlerësimi i Shqipërisë të ishte pozitiv, shumë antarë të komisionit kanë shprehur kundërshtim. "Sipas rregullit 23 të Moneyval Shqipëria u vendos në mbikëqyrje intensive dhe ju kërkua të raportojë sërish në Seancën e fundit plenare që Moneyval do të mbajë në vitin 2019," thuhet në minutat e mbledhjes së Komitetit, të siguruara nga Syri.net.
Por çdo të thotë mbikëqyrje e thelluar? Sipas rregullave të Moneyval, zyrës së posaçme të KE që vlerëson çdo vend për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, një shtet vendoset në mbikëqyrje të thelluar, kur ka renditje negative në 8 ose më shumë elementë vlerësues në parandalimin e pastrimit të parave. Po kështu, gjatë seancës Komisioni i Ekspertëve mund ta vendosë një vend në statusin e mbikëqyrjes së thelluar kur vëren se qeveria nuk ka adresuar siç duhet një numër të lartë të dobësive prioritare.
Raporti i fundit i vlerësimit nga Moneyval për Shqipërinë i përket vitit 2011. Në atë vit Shqipëria shënoi progres të madh në luftën kundër pastrimit të parave dhe u hoq nga lista e vendeve me risk të lart për pastrim parash dhe financim terrorizmi. Rikthimi në statusin e vendeve nën vazhdim që Këshilli i Europës ka vendosur tre muaj më parë për Shqipërinë, vjen pas rritjes galopante të kultivimit dhe trafikut të drogës, veçanërisht në vitet 2015-2016. Në këtë periudhë Shqipëria u shndërrua në burimin kryesor të kanabisit në Europë duke qenë furnitori kryesor i tregjeve europiane. Por veç prodhimit të hashashit, sipas departamentit të shtetit, grupet kriminale në Shqipëri janë duke trafikuar masivisht edhe drogëra më të forta si kokaina apo heroina drejt tregjeve të Bashkimit Europian.
Pjesa dërrmuese e të ardhurave nga këto trafiqe kanë hyrë masivisht në Shqipëri duke u investuar në aktivitete të ligjshme, çka është shoqëruar edhe me rënien e ndjeshme të euros ndaj lekut.
Bumi i parave të jashtëligjshme që kanë mësyrë në ekonominë shqiptare si dhe paaftësia e institucioneve për të parandaluar pastrimin e tyre duket se e kanë shtyrë Këshillin e Europës ta vendosë Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim të thelluar.