Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Sali Berisha ka kujtuar takimet me ish-Presidentin amerikan George H.W. Bush i cili ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare. Në vitet e para të demokracisë në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit komunist, Sali Berisha, në atë kohë President, u prit në vitin 1992 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-Presidenti George H.W. Bush.
Marrëdhënia e tyre shkoi përtej zyrtares, dhe u pasua me disa takime të njëpasnjëshme. Në një prenoncim për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha kujton edhe momentet e vizitës në Shqipëri të George H.W. Bush, i cili shfaqi një interes të madh për historinë e vendit tonë dhe për reformat që po ndërmerreshin në vitet e para të demokracisë.
Berisha rrëfen se mes tij dhe ish-presidentit të ndjerë amerikan ka patur miqësi dhe raporte që shkonin përtej kontakteve zyrtare, të cilën ish-Kryeministri shqiptar e konsideron trashëgiminë më të shkëlqyer që ai ka.
Sali Berisha: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, që në takimin tim më të parë në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, tregoi një interes shumë të madh për Shqipërinë, për Kosovën, për rajonin. Ai ishte politikani që unë kisha takuar më shpesh gjatë atij viti President në samite ndërkombëtare, dy-tre herë. Dhe që në të vërtetë në pritjet që jepeshin në këto biseda, ishin më të zgjatura se sa në një takim të veçantë. Kishte një interes të madh dhe një respekt për Shqipërinë. Lidhëm një miqësi që mbetet për mua trashëgimia më e shkëlqyer miqësi në jetën time.
Kur erdhi në Tiranë për herë të parë, ai shprehu vlerësimet më të mëdha për progresin ato 3 vite të demokracisë në Shqipëri, për suksesin e reformave dhe rezultatet që ato kishin dhënë, për historinë e Shqipërisë sepse unë e shoqërova atë përveç se këtu i dhashë Urdhrin e Artë të Skënderbeut si heroi i lirisë sonë me një analogji, dhe në Muzeun e Krujës ai u mahnit nga historiku i prijësit tonë, duke shkruar në Librin e Përshtypjeve, shprehu kënaqësinë për koincidencën e mrekullueshme që të dy quheshin Gjergj. Dhe unë i thashë, kampionë të lirisë që të dy.
Ai ka ardhur më datë 12 në drekë, ka qenë një vizitë 24-orëshe dhe ka ikur të nesërmen në drekë. Unë i kam bërë të gjitha nderimet, përveç të shtënave me top identike me të një presidenti në detyrë, dhe jam përpjekur t’i dëshmoj anën më të mirë që ne shqiptarët kemi, mikëpritjen.
Në atë vizitë, bisedat natyrisht, rajoni ishte problemi kryesor dhe përpjekjet e Millosheviçit për të destabilizuar, por edhe informimi që i bëra për privatizimin, për proceset demokratike për të cilat ai shprehu vlerësimin më maksimal edhe publikisht, dhe në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës me rastin e asaj vizite.