Protesta studentore ka qenë kryefjala e kësaj jave dhe si duket çdo qytetari i është ngrohur zemra nga kjo revoltë.
Këtë e dëshmon më së miri reagimi i shumtë qytetar nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku të gjithë shprehin mbështetje për kërkesat studentore që janë përgjysmim i tarifës së arsimit dhe ndryshime të tjera që rregullojnë jetën e tyre studentore.
Emisioni i mëngjesit në News 24, “Koha për t’u zgjuar” është ‘pushtuar’ sot nga qytetarët të cilët shqetësim kryesor kishin pikërisht protestën studentore, por edhe protestën e banorëve të Unazës së Re.
Qytetarët që telefononin në studio i bënin thirrje qeverisë që të gjente zgjidhje, por edhe që studentët të mos ndalen.
Telefonues 1: I mbështes kërkesat e studentëve. Janë zhgënjyer studentët. Të bëhet arsim falas, shëndetësi falas. Duhet t’u japin rrugëzgjidhje studentëve.
Telefonues 2: Studentët të shtojnë kërkesat, të vazhdojnë protestën se të gjithë i mbështesin.
Telefonues 3: Afrim Qendro dhe Erion Veliaj të marrë përgjegjësi për ato që kanë bërë në Unazën e Re. Tani që dolën dokumentet, kush i paguan ato shtylla e ato pemë të hequra që janë vënë me taksat e qytetarëve?
Telefonues 4: Unë po të isha në shtet, Lubonjën do e kisha futur brenda. Vajti tek protestuesit dhe bëri kërkesë të pushtohej kryeministria. Shqipëria është në ditën e hallit. Secili që ngrihet që është i administratës qoftë i majtë e qoftë i djathtë, është ngritur se si të vjedhë. Ne pensionistët jemi katandisur në pikë të hallit sepse nuk ka sindikata.
Telefonues 5: Në shtetin francez, 1 km rrugë shtrohet 1.7 mln euro, në Greqi 1 km rrugë 1.5 km rrugë. Si ka mundësi shteti shqiptar 2.2 km rrugë 40 mln euro? Doli vjedhje e hapur. E kanë kuptuar të gjithë shqiptarët nga jugu në veri. Shqiptarët janë një të ndarë në 5 familje. Ato para t’i çojnë për repartet ushtarake që të kuptohet që këtu ka shtet. Tani kanë 40-tat e atij trafikantit.