"Shkundet" paundi britanik – Euro dhe Dollari të qëndrueshme

Tuesday, 11 December 2018 14:31

Dita e martë në tregun valutor vendas ka nisur me një rënie të parashikuar të sterlinës britanike, teksa vendi është në trazira pas ngjarjeve të fundit në lidhje me daljen apo jo të Britanisë nga BE dhe May e cila njoftoi shtyrjen e votimit për marrëveshjen. Kujtojmë se Gjykata e Lartë e BE i dha mundësi Britanisë për anulimin e pjesshëm të Brexit.

Paundi Britanik u ul me plot 1.8 lekë për njësi nga dita e premte dhe ndodhet në kuotën e 136.5 lekëve në blerje dhe 137.5 lekëve në shitje. Ky është një nga nivelet më të ulëta për këtë valutë që prej krizës financiare botërore kur arriti deri në nivelin e 127 lekëve për njësi.

Ndërkohë, në tregun vendas vlera e monedhës së përbashkët europiane vijon të qëndrojë që nga e premtja në kuotën e 123.5 lekëve. E pandryshuar ditën e sotme është edhe vlera e dollarit amerikan. Dollari mbeti në kursin e 108.5 lekëve për njësi. Franga zvicerane, nga ana tjetër është forcuar me 0.3 lekë për njësi duke arritur në kuotën e 109.5 lekëve në blerje.

Leku, gjithashtu është forcuar lehtë kundrejt dollari australian me 0.2 lekë për njësi, si dhe ndaj dollarit kanadez me 0.3 lekë për njësi.

Login to post comments