KLP/ Zgjidhen “të besuarit” e Arta Markut. PS merr kontrollin absolut

Tuesday, 11 December 2018 19:47

Prokurorët e Republikës së Shqipërisë kanë zgjedhur të martën 6 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke plotësuar numrin prej 11 personash të strukturës që do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorët e SPAK.

Pak kohë më parë, Parlamenti i Shqipërisë zgjodhi, vetëm me votat e maxhorancës, 5 anëtarët e tjerë jo-prokurorë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një nga strukturat e reja të parashikuara në Reformën në Drejtësi dhe ka për detyrë trajtimin e karrierës, emërimet, transferimet e komandimet e prokurorëve.

Nga ky moment, Këshilli i Lartë i Prokurorisë merr kompetencat e plota, duke i dhënë fund arrogancës dhe abuzimit të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, e cila ka ndjekur një politikë kuadri “kulaçi” për miqtë e saj dhe “kërbaçi” për ata që nuk i bindeshin.

Por, nga ana tjetër, Këshilli i Lartë të Prokurorisë tashmë kalon nën “administrim” e njerëzve të emëruar apo me afërsi të dukshme me Partinë Socialiste.

Në një vit si Kryeprokurore e Përkohshme, Arta Marku ka kryer lëvizje prokurorësh, të barabarta ose edhe më të shumta se sa tre paraardhësit e saj në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme të marrë së bashku.

Kryeprokurorja e Përkohshme largoi një pjesë të madhe të drejtuesve, si edhe transferoi, pa asnjë bazë ligjore, një numër të konsiderueshëm prokurorësh. Përtej betimit të saj në Parlament se do të stabilizonte situatën e komandimeve, Arta Marku ndoqi një rrugë tërësisht të ndryshme.

Ajo vendosi në krye të prokurorive kryesore të vendit miqtë e saj ose njerëz të bindur, vendime këto që nuk gjenin askund bazë ligjore. Gjithashtu, të tjerë njerëz të bindur të saj i afroi në Prokurorinë e Përgjithshme, me argumentin zyrtar se nevojiteshin për të kryer procesin e Vetingut, në ndihmesë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Paralelisht me këto “ngritje në detyrë”, Arta Marku transferoi, gjithnjë në kundërshtim me ligjin, disa prokurorë, të cilët nuk ishin pjesë e tarafit të saj. Ndër këto largime, më skandalozet janë transferimi i prokurores së Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj, nga Krimet e Rënda në drejtim të Pukës. Prokurorja Muhametaj, për shkak të gjendjes së rënduar që pasoi ky vendim, humbi fëmijën e saj, në muajin e katërt të shtatëzanisë.

Gjithashtu, nëpërmjet një mekanizmi anti-ligjor, Arta Marku realizoi dëshirën e maxhorancës, duke “degdisur” drejt Pogradecit ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, prokurorin që po hetonte Saimir Tahirin.

Pas votimit të së martës, maxhoranca socialiste merr nën kontroll të plotë Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të paktën 8 nga 11 anëtarët e KLP janë njerëz të zgjedhur apo të mbështetur nga Partia Socialiste.

Pesë anëtarët jo-prokurorë janë zgjedhur vetëm me votat e socialistëve në Parlamentin e Shqipërisë, në një proces të kundërshtuar ashpër nga opozita PD-LSI.

Gjithashtu, 3 nga anëtarët prokurorë të zgjedhur sot, Besnik Cani, Gentian Osmani e Antoneta Sevdari, siç ka raportuar edhe më parë “Boldnews.al” janë njerëz që kanë dëshmuar se janë të bindur ndaj vullnetit qeveritar.

Pra, me 8 anëtarë nën kontrollin e Partisë Socialiste, praktikisht maxhoranca kontrollon jo thjeshtë vendimmarrjen, por edhe kuorumin e nevojshëm për t’u zhvilluar mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ndaj, fati i karrierës së prokurorëve të Shqipërisë, nga arroganca e Arta Markut, përfundon në duart politike të Partisë Socialiste.

Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorërve, e zhvilluar paraditen e së Martës, zgjodhi këta anëtarë prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas skemës 1 anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, dy anëtarë nga niveli i Apelit dhe 3 anëtarë nga prokuroritë e shkallës së parë:

1. Kosta Beluri, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
2. Bujar Sheshi, prokuror në Apelin për Krime të Rënda
3. Arben Dollapaj, prokuror në Apelin e Shkodrës
4. Gentian Osmani, prokuror tek Krime të Rënda
5. Besnik Cani, këshilltar i Arta Markut, prokuror në Elbasan
6. Antoneta Sevdari, prokurore në Tiranë

Më herët, Parlamenti i Shqipërisë, vetëm me votat e maxhorancës, ka zgjedhur 5 anëtarët jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Login to post comments