Nga Rivelino Çuno
Kurrë më parë, egjiptianët dhe romët e Shqipërisë nuk kanë patur një parti krejtësisht të tyren. Kurrë më parë nuk kanë patur as mundësi, as shpresë e as aspiratë për të qenë komunitete të përfaqësuara. Kjo ka ndodhur sepse ne si komunitete kemi patur një histori të trishtë harrese, diskriminimi, keqtrajtimi, paragjykimi dhe varfërie ekstreme.
Pak, shumë pak prej nesh nga egjiptianët dhe romët e Shqipërisë, ia kanë dalë mbanë të tejkalojnë pragjet shtypëse të marxhinalizimit dhe të jetojnë si të integruar, mirëshkolluar dhe me dinjitet. Edhe pse kemi qenë kontribues thelbësore në të gjitha fushat e zhvillimet historike, politike, kulturore, institucionale, etj, në këtë vend, rrallë ose asfare na është njohur ky kontribut.
Egjiptianët dhe romët janë ende dy komunitete që jetojnë në kushte skandaloze të denuar nga diskriminimi dhe varfëria. Politikat sociale dhe ato integruese të ndërmara nga të gjitha Qeveritë e këtyre 28 viteve, kanë qenë të pamjaftueshme, pothuajse të pandjeshme fare sepse nuk kanë qenë serioze, përmbajtësore dhe zhvillimore.
Komuniteti egjiptian vetëm me ligjin e ri për minoritetet sapo ka fituar më në fund një njohje të veçantë si i tillë. Rëndom, në dokumentet dhe strategjitë zyrtare të shtetit shqiptar, komuniteti egjiptian ka qenë i përfshirë së bashku me komunitetin rom si te kenë qenë të njejte. Por jo. Ne kemi të njëjtat halle, të njëjtat problematika, të njëjtën parti politike që është PEISH – Partia per Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë, por jo të njëjtin identitet. Për ne identiteti është me rëndësi madhore.
Diskriminimi dhe varfëria kanë qenë një peshë e rëndë mbi kokat tona duke na cënuar rëndë identitetin dhe kurajon për të qenë çfarë jemi për shumë e shumë vite. Sot që ne kemi filluar të kemi studentët dhe të diplomuarit tanë, sot që kemi filluar të kemi dëshirën dhe vizionin dhe pasionin për përfaqësim e lartësim të merituar të dinjitetit njerëzor, ne nuk mund të pranojmë e as të lejojmë të na zhbëhet identiteti. Kush është egjiptian – është egjiptian. Kush është rom – është rom. Dhe të tillë duhet të njihemi edhe nga shteti shqiptar, egjiptianët si egjiptianë e romët – si romë.
Kur para 3 vjetësh ne krijuam PEISH-in – Partinë per Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë, ne vendosëm të krijojmë shtëpinë politike ku egjiptianët dhe romët do të gjejnë mundësinë dhe fuqinë për të siguruar e për t’u përpjekur së bashku, që të fitojmë dinjitetin tonë, të drejtat tona, përfaqësimin tonë të merituar. Vetëm 3 muaj pasi ishim krijuar si parti politike e egjiptianëve dhe romëve të Shqipërisë, ne vendosëm natyralisht t’i bashkoheshim Koalicionit Qeverisës të drejtuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Them natyralisht, sepse problematikat dhe çështjet tona si dy komunitete të diskriminuara që jemi, kanë nevojë të jenë të adresuara në veshë miqesore dhe dashamirës qeveritarësh dhe njerëzish që drejtojnë institucione.
Ne donim zgjidhje të buta dhe bashkëudhëtuese nëpërmjet përfshirjes sonë në Koalicionin e Shumicës Qeverisëse. Çfarë ndodhi?
Po të kishte ndodhur asgjë, ndoshta do të vazhdonim të qendronim aty ku ishim si parti politike aleate me PS.
Mirëpo Qeveria Rama dhe politikat e saj represive, antisociale, arrogante dhe arbitrare, ranë mbi komunitetet tona si male me halle të mëdha që po na e rëndojnë cdo ditë e më shumë jetesën tonë. Shtetbërja e Edi Ramës, erdhi mbi ne si një tajfun ligësie që na hoqi edhe karrocat e punës për të mjerët tanë që me ato karoca siguronin bukën, edhe tendat e çadrat e barakat ku banonim, edhe çdo mundësi e ndihmë.
Nuk po them se ne jemi kundër shtetberjes si koncept. As po them se ne duam që qytetet tona të vazhdojnë të jenë të mbushura nga karroca arkaike rrugëve dhe baraka e ndertime pa leje andej e këndej. Aspak. Por po them se ne si komunitete vuajmë dy herë Ne vuajmë edhe diskriminimin edhe varfërinë . Kështu që kur shtetberja represive vjen mbi ne, na fundos, na mbyt, na zhyt ne mjerim e vuajtje te pamata.
Si mundet që një Qeveri që e mbush Shqipërinë me kanabis, Kuvendin me kriminelë, institucionet me njerëz arrogantë e plaçkitës, vjen dhe e bën shtetin aty poshtë ku jeton ai egjiptiani apo romi që siguron bukën e gojës duke mbledhur kanoce, duke bërë shërbime me karroca të modifikuara, apo duke mbuluar kokën me çadra a baraka të trishta? Si mundet që kjo Qeveri, nuk bën asgjë për ti integruar këta njerëz që u përkasin këtyre dy komuniteteve që vuajnë dy herë, edhe nga diskriminimi edhe nga varfëria?!
Si mund tu thuash egjiptianëve dhe romëve të Shqipërisë, se po nuk paguan dritat do hyjnë në burg, po vunë dy tjegulla pa leje do hyjnë në burg, po dolën me karoca pune do hyjnë në burg, po mblodhen kanoce do hyjnë në burg? Po, duam ne, duam me gjithe shpirt që të jemi edhe taksapagues të rregullt, edhe pagues dritash të rregullt, edhe punëtorë të rregullt, edhe zbatues të çdo rregulli e ligji me rigorozitet e përgjegjshmëri maksimale. Por a e dini ju, se ne jemi të përjashtuar fare nga shoqëria? A e dini ju çdo të thotë të jesh i diskriminuar, i shtypur, i veçuar, i mjerë, i vuajtur? Ja kjo ka ndodhur me ne. Kjo Qeveri të cilës ne i besuam si aleate, me politikat e saj antisociale, në vend që të na integronte e mbështeste me politika sociale e zhvillimore na grushtoi rëndë duke na bërë më të mjerë, e më të ndëshkuar. Edhe politikisht, ne si Parti kishim firmosur me PS, një marreveshje ndryshe nga çdo parti tjetër, nëpërmjet të cilës kërkonim hapesira trajtimi me punësim si politika integruese për këto dy komunitete të diskriminuara, në raportin 1 i punësuar për cdo 100 vota të fituara nga PEISH – Partia per Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë.
Në 2 vjet pra nga 2015 deri në pranverën e 2017 sa qëndruam në në Koalicion me PS, asnjë, absolutisht asnjë i punësuar nga PEISH . Nuk kërkuam kurrë asgjë joligjore apo jashtë kritereve ligjore për njerëzit tanë . Kërkuam respektimin e një marrëveshjeje të ndershme politike që do të siguronte mundësi integrimi dhe përfaqësimi per 2 komunitete të diskriminuara, marxhinalizuara, që janë edhe minoritete. Asgjë. Aq të shurdhët u treguan këta me ne, saqë shpesh na dukeshin edhe si paragjykues e racistë, që nuk donin fare te na kishin pranë.
Edhe studenteve tanë që u perkasin dy komuniteteve tona, u shkaktuan telashe të mëdha me kuotat dhe bursat që u takojnë me ligj. Keta na kthyen serish tek poema e mjerimit migjeniane. Ndaj ne vendosëm që në Çadrën e Lirisë ti bashkohemi Lulzim Bashes, sepse e ndjeme që aty në sheshin e lirisë , bashkë me Opozitën, do të nisnim të luftonim së bashku për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një qeverisje dhe nje Republikë të re, ku qytetarët janë fuqia e vertete e ku të drejtat dhe dinjiteti njerëzor janë ligji mbi cdo ligj. Iu bashkuam dhe jemi edhe sot e kësaj dite me Lulzim Bashën, sepse duam t’i bëhemi krah atij në këtë betejë të drejtë, që nesër të jemi bashkëudhëtarë me të në Qeverisjen e re, për të cilën do punojmë e luftojmë që të jetë e drejtë dhe solidare. Më mirë me Opozitën, më mirë me studentët që sot po protestojnë në sheshin e lirisë sesa atje në Koalicionin e Qeverisjes së Ligësisë së Rilindjes. Më mirë kryelartë në betejë për lirinë dhe të drejtat tona, sesa aleatë me ata që na shpërfillën dhe goditën e mjeruan pabesisht. Ne jemi me Lulzim Bashën, me studentët, me Aleancën për Teatrin, me banorët e Astirit, etj që së bashku të fillojmë një histori të re të konsiderimit, trajtimit, integrimit, dinjitetëzimit dhe përfaqësimit të komunitetit egjiptian dhe komunitetit rom. Kjo është beteja jonë, kjo është betejë për dinjitetin tonë.
Ne egjiptianet dhe romët, jemi dy komunitete, dy minoritete që duam dhe meritojmë integrim, dinjitet, punësim, përfaqësim. Si minoritete që jemi, ne jemi edhe kushtezim si njëri ndër 5 Prioritetet e integrimit të Shqipërisë në BE. Duhet të punojmë së bashku që ne si minoritete të trajtohemi me drejtësisht sipas standarteve europiane. Së bashku do t’ia dalim.
Autori është Kryetar i PEISH – Partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë