Kursi i këmbimit, Dollari dhe Paundi rifitojnë vlerë ndaj lekut – Euro zbret në 122.5 lekë

Hënë, 24 December 2018 14:14

Tregu vendas i këmbimit valutor ditën e hënë ka regjistruar disa luhatje të lehta në shportën e valutave kryesore ndërkombëtare. Euro vijon të ndjekë trendin rënës, duke u zhvlerësuar akoma më tej lekut. Valuta e eurozonës është dobësuar me 0.2 lekë për njësi nga dita e premte, duke zbritur kështu në kuotën e 122.5 lekëve.

Nga ana tjetër, situata paraqitet më pozitive për dy valutat e tjera, paundin dhe dollarin amerikan. Ky i fundit është forcuar me 0.3 lekë për njësi kundrejt lekut dhe këmbehet sot në pikat e këmbimit valutor për 107.3 lekë në blerje dhe 108.3 lekë në shitje.

Ndërsa ka ndjekur të njëjtin trend rritës, paundi britanik nga ana tjetër është forcuar minimalisht po me 0.3 lekë, duke u ngjitur kështu në nivelin e 136 lekëve. Valuta e Britanisë së Madhe ndërkohë vijon të regjistrojë luhatje të herëpashershme në tregun e këmbimit valutor, e ndikuar nga pasiguritë e krijuara prej marrëveshjes Brexit.

Ndërkohë, sa i takon valutave të tjera, një rritje me 0.2 pikë nga dita e premte ka regjistruar edhe franga zvicerane. Valuta këmbehet sot për 108.5 lekë në blerje dhe 109.5 lekë në shitje.

Ndërsa, janë zhvlerësuar minimalisht nga dita e premte kundrejt lekut dollari australian dhe ai kanadez, përkatësisht me 0.1 lekë dhe 0.2 lekë. Sot, valuta australiane blihet me 75.7 lekë dhe shitet me 76.5, ndërsa dollari kanadez këmbehet për 78.8 lekë në blerje dhe 79.8 lekë në shitje

Login to post comments