Henri Cili shet gazetën MAPO. Vetë themeluesi i gazetës ka komunikuar ndryshimin përmes një editoriali.
"Nga sot gazeta MAPO dhe botimet e tjera MAPO shkojnë drejt një projekti të ri menaxherial, drejt një forme të re të organizimit juridik dhe sigurisht drejt një pronësie të re.” shkruan Cili në editorialin e tij.
Një nga arsyet rendit dhe faktin që gjatë këtyre viteve Mapo ishte subvencionuar financiarisht një projekt mediatik me humbje si shumica dërrmuese e shtypit të shkruar.
"Teknologjia, sidomos faktorët e rinj të komunikimit, kanë krijuar një raport të ri në 5 vitet e fundit, kanë evoluar shumë. Raporti me shtypin e shkruar është përmbysur katërçipërisht pas një tradite 200 e ca vjeçare të shtypit të shkruar në shoqëritë perëndimore. Ky raport i ri i ka lëvizur të gjitha parametrat intelektualë, menaxherialë dhe ekonomikë, dhe si pasojë gjatë këtyre viteve me Mapo-n jemi përpjekur të përshtatemi me këtë dinamikë të re, duke e subvencionuar financiarisht një projekt mediatik me humbje si shumica dërrmuese e shtypit të shkruar. Pikërisht këtu qëndron arsyeja e kësaj forme të re të organizimit të botimeve tona, drejt një projekti të ri menaxherial, drejt një forme të re juridike dhe sigurisht drejt një pronësie të re. Kështu Mapo ia vlen t’i rikthehet industrisë së medias; të zhvillohet mbi parametra tipikë menaxherialë dhe të tregut të medias duke futur konceptet, përshtatjet e reja, gazetarinë online apo dhe të gjithë ata mekanizma që do ta bënin edhe më tej një titull dinjitoz të përhershëm, shpresoj të përjetshëm, në peizazhin mediatik shqiptar".
Editoriali mban titullin: Nga sot, nis një rrugë e re për botimet MAPO, nis një histori e re
Gazeta Mapo botim i Institutit Europian Pashko, nisi si një revistë që në tetor 2006, dhe korrik 2010 u kthye ne gazetë.