Në puntatën e sotme të emisionit "Pa gjurmë" është prezantuar historia e zhdukjes së Maksim Trimit, i cili rezulton në skedën e të humburve që prej qershorit të vitit 2014.
Me origjinë nga Gramshi, që herët kur ishte ende në shkollë të mesme emigroi ilegalisht drejt Greqisë nga mali. Atje ai bënte punë sezonale si çoban në qytetin e Selanikut, duke qenë se vijonte shkollën e mesme. Në vitin 2012 martohet me Marjetën nga një fshat aty afër.
Pasi u martuan shpërgulen nga fshati Kishtë për në Rrushbull të Durrësit, për të jetuar në shtëpinë që i ati i Maksimit, Bariu ia kishte dhuruar të birit. Çifti bënin një jetë normale, ndërsa në vitin 2013 erdhi në jetë vajza e vetme Kejsi. Kur dukej se çdo gjë po shkonte mirë nisën dhe konfliktet e para mes çiftit.
Marjeta e nxiste Maksimin për një jetë më të mirë me pretendimin se nuk i pëlqente mënyra se si jetonin. Maksimi punonte, ndërsa i ati e ndihmonte me ushqimet që i sillte nga fshati. Por bashkëshortja e shtynte gjithnjë Maksimin, që ai të emigronte si më parë drejt Greqisë, për më shumë mundësi ekonomike.
Pas debateve të vazhdueshme, Maksimi detyrohet të emigrojë në maj të vitit 2014-të për në Greqi ilegalisht nga mali. Vendoset aty ku kishte qenë dhe më parë në Megolovolvi të Selanikut. Gjatë kësaj kohe flet me familjen në Shqipëri si dhe me të vëllanë që jetonte gjithashu në Selanik. Arbeni tregon se kishte vënë re një ndryshim tek i vëllai Maksimi, i cili ishte bërë tip i mbyllur në atë periudhë. Telefonata e fundit nga Maksimi u bë më 30 qershor të vitit 2014-të me bashkëshorten Marjetën.
Familjarët bëjnë denoncimin në polici të Selanikut, ndërsa rasti është bërë publik edhe në emisionin analog në Greqi, Fosto Tunel. Ndërsa pronari ku Maksimi kishte punuar atë kohë u pohon se i riu nuk kishte shkuar më as për të tërhequr rrogën.
Përveç mungesës së kryefamiljarit në familjen Trimi tashmë kur Maksimi mungon fizikisht familjarët e tij nuk dinë prej 5 vitesh se ku ndodhet mbesa e tyre Kejsi. Pasi bashkëshortja e Maksimit Marjeta, tashmë ka krijuar një tjetër familje nga një marrëdhënie shumë e hershme më parë se ajo të martohej me Maksimin.
Në studion e emisionit, motra e tij Marjeta ka rrëfyer detaje nga jeta e vëllait të saj dhe bashkëshortes së tij.
"Kam qënë shumë e lidhur më vëllain por ai nuk më ishte shprehur se kishte probleme me gruan. Pasi ai ikën, ajo na tregon ne. Qante në syrin tonë dhe pastaj qeshte me shoqet. E kuptuan ndryshimin më pas tek ajo. Mësuam që kishte një lidhje pas zhdukjes së vëllait tonë, na e ka pohuar vetë i ati. Bashkëshorti i ri na bënte presion në lidhje me mbesën," - tha motra e Maksimit.
Gjithashtu i pranishëm në studio, vëllai i Maksimit Eltoni ka rrëfyer presionin që i bënte bashkëshorti i ri i ish-gruas së vëllait: Më mori në telefon dhe më tha eja merrni vajzën. Madje dhe emrin e vajzës e kishte vendosur ai. Të gjitha na i ka treguar i ati. Vajza tani jeton me nënën dhe bashkëshortin e ri të saj në një fshat të Beratit.
Në studion e "Pa gjurmë", të afërmit e Maksmit janë shprehur se dyshojmë tek ish-bashkëshortja e vëllait të tyre sepse vetëm dy muaj pas zhdukjes së tij ajo iku me një tjetër.