Salim e BB: Po shtohen rreziqet fiskale jashtë bilanci, përfshirë shpenzimet e larta të PPP-ve

Diel, 13 Janar 2019 14:23

Intervistë me znj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

 

Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në 2018-n, e ndihmuar nga energjia, ndërsa në 2019-n edhe Banka Botërore, ashtu si FMN, pret një ngadalësim. Znj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, pohon në një intervistë për ‘Monitor’ se Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat në mjedisin e biznesit dhe të krijojë kushte të barabarta për sipërmarrësit e huaj për të investuar dhe për të përdorur potencialin e pashfrytëzuar të vendit.

Ajo tërheq vëmendjen që qeveria duhet të menaxhojë në mënyrë aktive rreziqet fiskale nga PPP-të dhe ndërmarrjet shtetërore dhe duhet të vazhdojë të bëjë më efikase shpenzimet publike

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2018?

Rritja në Shqipëri u përshpejtua në vitin 2018, dhe vlerësohet në 4 për qind. Prodhimi i energjisë në gjysmën e parë të 2018-s pothuajse u dyfishua në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e reshjeve të bollshme. Turizmi ka nxitur rritjen e eksporteve të shërbimeve. Përmirësimi i punësimit, pagave dhe rritja e kredisë vazhdojnë që të udhëheqin konsumin privat. Rritja e qëndrueshme ka mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe ka nxitur pjesëmarrjen në forcën e punës.

Punësimi mesatar u rrit me 3.4 për qind me bazë vjetore për tre tremujorët e 2018-s, kryesisht në shërbime dhe industri. Norma e papunësisë ra më tej në nivele të ulëta historike. Zhbalancimet makroekonomike u korrektuan përgjatë vitit, teksa deficiti i llogarisë korente u ngushtua më tej, dhe borxhi publik po bie për shkak të të ardhurave më të larta dhe shpenzimeve të kontrolluara.

Megjithatë, po shtohen rreziqet fiskale jashtë bilanci përfshirë shpenzimet e larta të qeverisë përmes PPP-ve dhe krijimit të detyrimeve të prapambetura, të cilat kërkojnë përmirësime domethënëse në menaxhimin e riskut, që vjen nga detyrimet potenciale. Për më tepër, duke pasur parasysh nivelet shumë të larta të borxhit, forcimi i transparencës fiskale do të rriste besimin e tregjeve dhe do të ulte rreziqet e financimit në tregjet e brendshme dhe të jashtme.

Cili është parashikimi juaj për ecurinë e ekonomisë shqiptare në 2019-n?

Rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet në rreth 3.5% gjatë 2019–20 teksa dinamizmi i rritur ekonomik do të mbyllë gradualisht hendekun e prodhimit. Rritja do të mbështetet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, i nxitur nga rritja e të ardhurave nga puna dhe nga eksportet neto, të mbështetura nga kërkesa e huaj në rritje dhe zgjerimi në akseset në tregje. Investimet—publike dhe private—do të kontribuojnë gjithashtu në rritje, teksa qeveria vazhdon të investojë në infrastrukturë dhe mjedisi për të bërë biznes po përmirësohet.

Cilët anë faktorët (të brendshëm dhe të jashtëm) që mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht ecurinë e ekonomisë shqiptare?

Ekzistojnë rreziqe që kërcënojnë këtë perspektivë pozitive ekonomike. Rreziqet e jashtme përfshijnë një shtrëngim të mundshëm të kushteve të financimit për tregjet në zhvillim. Edhe rritja e Bashkimit Europian dhe perspektiva e zgjerimit janë gjithashtu të varura nga diskutimet aktuale në Union.
Në kahun e brendshëm është e domosdoshme të arrihet progres në konsolidimin fiskal dhe zgjerimin e bazës së taksapaguesve në mënyrë që të ruhet stabiliteti makro-fiskal si një parakusht për rritje. Qeveria gjithashtu duhet të menaxhojë në mënyrë aktive rreziqet fiskale nga PPP-të dhe ndërmarrjet shtetërore dhe duhet të vazhdojë të bëjë më efikase shpenzimet publike. Mbështetja e rritjes gjithëpërfshirëse kërkon angazhim për të trajtuar sfidat strukturore që lidhen me mjedisin e biznesit, sigurinë energjetike dhe kapitalin njerëzor.

Dy investime të mëdha, TAP dhe Hidrocentrali i Devollit janë drejt fundit. Çfarë duhet të bëjë qeveria për të tërhequr investime të tjera dhe në cilët sektorë?

Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat në mjedisin e biznesit dhe të krijojë kushte të barabarta për sipërmarrësit e huaj për të investuar dhe për të përdorur potencialin e pashfrytëzuar të vendit. Forca e punës në vend duhet të kualifikohet në mënyrë të përshtatshme për t’u integruar më mirë në zinxhirin global të vlerave. Kjo kërkon që të investohet tek të rinjtë që nga fazat fillestare dhe të arrihet deri tek shtresat e pafavorizuara. Përmirësimi i infrastrukturës, përfshirë transportin dhe shërbimet komunale, dhe reformat e tokës do të krijojnë gjithashtu parakushte të domosdoshme për rritjen ekonomike. Përmirësimi i qeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve do të ndihmonte në lehtësimin e aksesit të investitorëve të huaj.

Qeveria shqiptare është angazhuar së fundmi në disa projekte të mëdha PPP, të cilat nuk pasqyrohen në shifrat e borxhit publik. Si do ta vlerësonit ndikimin (pozitiv dhe negativ) të këtyre projekteve në ekonominë shqiptare dhe borxhin publik? Cilat janë këshillat tuaja për qeverinë shqiptare në këtë drejtim?

Në fillim të këtij mandati, Kryeministri shpalli projektin “1 miliard”, si një mënyrë për mobilizimin e burimeve për investime që janë shumë të nevojshme në vend. Disa nga këto investime janë iniciuar përmes PPP-ve. Ndërsa është shumë herët për të gjykuar mbi ndikimin e këtyre investimeve, ne gjithmonë kërkojmë për shqyrtim të fortë të ndikimeve fiskale afatshkurtra dhe afatgjata të PPP-ve. PPP-të në vetvete janë një instrument i ligjshëm, por përdorimi i tyre kërkon një mjedis të fortë përsa i takon një administrate të fortë publike, mekanizmave të kontrollit, dhe transparencë të plotë.

Banka Botërore do të mbështesë qeverinë për i) forcimin e kapaciteteve teknike të stafit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe ministrive të linjës për të hartuar, vlerësuar dhe monitoruar PPP-të; (ii) bërjen më transparente dhe më të përgjegjshme të aktivitetit të PPP-ve, përfshirë edhe publikimin e një njoftimi mbi rreziqet fiskale që do të bënte transparence mbi detyrimet potenciale që lindin nga PPP-të; (iii) integrimin e procesit të përzgjedhjes së PPP-ve në strategjinë e përgjithshme të Shqipërisë për menaxhimin e investimeve publike, duke forcuar funksionin ndërmjetës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të siguruar që PPP-të të jenë të qëndrueshme nga ana fiskale, duke reduktuar varësinë nga propozimet e pakërkuara ad-hoc për PPP-të dhe duke kufizuar përjashtimet prej ligjit për PPP-të.

 

PPP-të

Ndërsa është shumë herët për të gjykuar mbi ndikimin e këtyre investimeve, ne gjithmonë kërkojmë shqyrtim të fortë të ndikimeve fiskale afatshkurtra dhe afatgjata të PPP-ve. PPP-të në vetvete janë një instrument i ligjshëm, por përdorimi i tyre kërkon një mjedis të fortë përsa i takon një administrate të fortë publike, mekanizmave të kontrollit, dhe transparencë të plotë.

 

Në afatin e gjatë, çfarë reformash duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, në mënyrë që të përshpejtojë procesin e konvergjencës me vendet e BE-së?

Hapja e negociatave në qershor 2019, sipas marrëveshjes së Këshillit të Evropës, është subjekt i përparimit në reformat në gjyqësor, shërbimet e sigurisë, administratën publike dhe antikorrupsionin. Këto janë deri më tani reformat më të rëndësishme që do të mbështesin krijimin e bazave të forta drejt integrimit në BE. Por po aq e rëndësishme është dhe rritja ekonomike për të “kapur” vendet e BE. Duke pasur parasysh mjedisin e jashtëm, konvergjenca e plotë është gjithnjë e më sfiduese, pasi Shqipëria ende operon nën kapacitetin optimal të rritjes. Një normë më e lartë dhe cilësore e rritjes është e vetmja rrugë për të ecur përpara.

Që kjo të ndodhë, qeveria duhet të fokusohet në një zgjidhje afatgjatë për reformën e tokës, përmirësimin e mjedisit të biznesit, legjislacionin tatimor të parashikueshëm dhe të zbatueshëm, në politikat fiskale të kujdesshme. Investimet e kapitalit njerëzor duhet gjithashtu të shkojnë krah për krah me këto reforma. Investimi në shëndetësi dhe arsim duhet të jetë prioritar në axhendën e qeverisë. Banka Botërore sapo ka nisur një projekt të Kapitalit Njerëzor që synon të mbështesë këto reforma në vendet në zhvillim.

 

Reformat strukturore

Qeveria duhet të fokusohet në një zgjidhje afatgjatë për reformën e tokës, përmirësimin e mjedisit të biznesit, legjislacionin tatimor të parashikueshëm dhe të zbatueshëm, në politikat fiskale të kujdesshme. Investimet e kapitalit njerëzor duhet gjithashtu të shkojnë krah për krah me këto reforma. Investimi në shëndetësi dhe arsim duhet të jetë prioritar në axhendën e qeverisë

 

Si do ta vlerësonit performancën e projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri? Cilat janë planet për projekte të reja?

Ne sapo përfunduam Vlerësimin Afatmesëm të Programit si pjesë e Strategjisë për Partneritetin për Vendit – një analizë që Banka bën në mes të rrugës së zbatimit të programit të saj – dhe në këtë moment jam e lumtur të ndaj disa gjetje. Që nga maji i vitit 2015, kur u miratua nga Bordi i Drejtorëve, Strategjia për Partneritetin për Vendin e deri tani, Banka ka financuar projekte në vlerë prej rreth 840 milionë dollarë amerikanë. Kjo mbështetje ka qenë në formën e mbështetjes buxhetore ose investimeve sektoriale.

Duke vlerësuar frymën e reformës në 2013 dhe 2014, mbështetja jonë më e madhe financiare shkoi për reforma në fushën e menaxhimit financiar publik, energjisë, mirëmbajtjes së rrugëve, ofrimit të shërbimeve dhe mbrojtjes sociale. Progres i kënaqshëm u arrit në përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, ku projekti ynë mbështeti procesin e riformatimit të ofrimit të shërbimeve dhe çoi në hapjen e qendrave ADISA në disa qytete të vendit.

Qasja në shërbimet e asistencës sociale është një arritje tjetër dhe ne jemi ende duke punuar me qeverinë për të përmirësuar mbështetjen sociale të targetuar sa më mirë për ata që kanë neojë, si dhe për të zgjeruar mbështetjen për njerëzit me aftësi të kufizuara. Gjatë 2018 kemi parë progres të konsiderueshëm të punëve civile në transport, ku u kryen punime të mëdha mirëmbajtjeje në segmentet kyçe të rrugëve dhe investime në furnizimin me ujë në Durrës, projekt i cili pritet të përfundojë në 2019-n dhe të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë për banorët e Durrësit.

Ne kemi mbështetur investimet në sektorin e energjisë për sigurinë e digave, që përfshin ndërhyrjet kryesore kritike në Koman dhe Fierzë, si dhe investime të tjera për kompanitë e transmetimit dhe shpërndarjes. Ne shpresojmë se zbatimi i këtyre aktiviteteve do të përshpejtohet në 2019-n.
Kemi filluar diskutimet me Qeverinë lidhur me mbështetjen e ardhshme. Ne besojmë se do të jetë e rëndësishme që të mbetemi të angazhuar në sektorë të tillë si menaxhimi financiar publik, energjia, rrugët, por gjithashtu të konsiderojmë shtrirjen në sektorë që nuk kemi qenë të angazhuar aktivisht së fundmi, si arsimi.

 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...