Në datat 15-16 janar 2019, në Vjenë (Austri), mbajti punimet Forumi për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një organizim i përvitshëm i "Euromoney" që mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, figura të njohura të fushës politike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së.
Forumi ishte konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku të pranishmit ishin të ftuar të diskutonin mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë.
Me rëndësi të veçantë ishte paneli i guvernatorëve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore kushtuar politikës monetare. Në këtë panel, pjesë e të cilit ishte dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ishin të pranishëm gjithashtu: Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, zj. Anita Angelovska Bezhoska, Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Nikola Fabris, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, z. Koba Gvenetadze.
Diskutimet e panelit u fokusuan në tema me rëndësi që lidhen me ekonomitë e vendeve të EQL-së, si dhe më në veçanti: me efektet e pritura të përfundimit të lehtësimit monetar të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane; divergjencën e cikleve të ekonomive kryesore globale; ecurinë e inflacionit në vendet e rajonit; perspektivat e tregut të kursit të këmbimit; ndryshimet strukturore në sistemet e pagesave; roli i bankave në politikën monetare etj.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Ai theksoi se Shqipëria po përjeton një rimëkëmbje të qëndrueshme ciklike, me rritje të përshpejtuar gjatë tre viteve të fundit, duke e afruar ekonominë vendase drejt ekuilibrit.
Gjithashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se qëndrimi i politikës monetare të BQE-së ka një ndikim të fortë dhe të drejtpërdrejtë në ekonomitë dhe sistemet financiare të rajonit, si rezultat i afërsisë gjeografike të tregjeve, integrimit financiar, si dhe konvergjencës më të fortë ciklike. Në këtë perspektivë, qëndrimi aktual akomodues i politikës monetare në Eurozonë ka qenë në përputhje me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Po ashtu, shtrëngimi i kushteve monetare në Eurozonë pritet të ndodhë afërsisht në paralel me reduktimin e stimulit monetar në Shqipëri.
Për këto arsye, Guvernatori vlerësoi se Shqipëria nuk do të ketë efekte të forta negative nga përfundimi i programit të lehtësimit monetar të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane. Sipas tij, flukset hyrëse të investimeve të huaja në Shqipëri kanë qenë të natyrës së drejtpërdrejtë, në prodhimin e energjisë dhe të burimeve natyrore, prandaj kjo nuk do të sillte një largim të kapitalit apo stres të borxhit. Ai shtoi se ekspozimi i sektorit privat shqiptar në tregjet e borxhit është minimal, kjo pasi biznesi shqiptar financohet në masë të madhe përmes fondeve private ose nëpërmjet sektorit bankar vendas.
Më tej, diskutimi vijoi në lidhje me politikën monetare të ndjekur nga Rezerva Federale, shoqëruar me një forcim të dollarit kundrejt euros në tregjet ndërkombëtare të valutës. Shtrëngimi i kësaj politike, sipas Guvernatorit, nuk do ta prekte Shqipërinë drejtpërdrejt, përveç ndikimeve të zakonshme negative mbi çmimet e karburantit dhe të lëndëve të para.
Gjatë diskutimeve të Panelit, Guvernatori theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në funksion të përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomike, të rritjes së mirëqenies shoqërore, si dhe të ankorimit sa më të mirë të perspektivave afatgjata të zhvillimit të vendit.
Gjatë këtij forumi dyditor, Guvernatori Sejko zhvilloi takime me personalitete të njohura ndërkombëtarë, me zyrtarë të lartë të bankave qendrore, si dhe me përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare.