Taksat e “fshehta” krijojnë probleme për bizneset në vend

Diel, 20 Janar 2019 08:47

Sektorë të ndryshëm presin që 2019 të mos jetë një vit pozitiv për sa i përket ecurisë së biznesit. Shkak kryesor janë ndryshimet që solli Paketa Fiskale 2019. Ndonëse në tërësi, paketa ishte lehtësuese, ka shumë ndryshime fiskale që, në fakt, rrisin barrën tatimore direkt ose indirekt. Aktorët kryesorë thonë se këto ndryshime janë bërë pa u konsultuar me grupet e interesit, duke vënë në vështirësi biznesin për të krijuar vende të reja pune dhe për të rritur investimet. Një pjesë e tyre rrezikon falimentimin.

Neritan Malo operon prej 26 vitesh në biznesin e termo-izolimit në Shqipëri. Së fundmi, ai ka zgjeruar edhe eksportet në rajon. 2018-a ishte i mbarë për sektorin e termo-izolimit. Këto vitet e fundit, siç tregon edhe zoti Malo, është shtuar interesi për të pasur shtëpi me eficiencë energjie. Një tjetër faktor që nxiti sektorin ishte edhe ligji për eficiencën e energjisë së ndërtesave. Një shtëpi kursen deri në 60% të energjisë, nëse ndërtohet me materiale termo-izoluese. Në total, i gjithë tregu i termo-izolimit përllogarit një qarkullim prej 22 milionë eurosh dhe ka një peshë në punësim. Vetëm në kompaninë e Neritan Malos janë rreth 50 të punësuar.

Megjithatë, 2019-a nuk ka nisur ashtu siç duhet për këtë sektor. Që kur ka hyrë viti i ri 2019, ai shprehet se nuk ka shitur në aktivitetin e tij. Shkak është bërë një ndryshim në taksimin e lëndës së parë. Në paketën e re fiskale, qeveria vendosi që të vendoste një taksë për produktet e plastikës (për të gjitha lëndët që përmban kodi doganor 39).

“Ky ndryshim në taksë prej 25 lek/kg lëndë e parë ose 35 lek/kg për produkt të gatshëm që përfshin polisterolin është shkatërrues për biznesin e termo-izolimit. Janë miratuar ligje (i fundit në nëntor 2016) që detyrojnë ndërtuesit apo individët që të përdorin termo-izolimin në ndërtesa me qëllim eficencën e energjisë në ndërtesa dhe reduktimin e emetimit CO2 në ambient dhe tani vendosin ‘taksë luksi’ që do të variojë nga 4-12 euro/1m³ polisterol EPS ose XPS në varësi të tipit dhe cilësisë”, – tha Malo për “Monitor”.

Për shkak të kësaj takse, Malo shprehet se kostot vjetore të biznesit rriten me rreth 150 mijë euro në vit. Kjo do të prekë vendet e reja potenciale të punës, si dhe do të kufizojë investimet e mëtejshme në fabrikë. Deri më tani, Malo thotë se ka investuar rreth 1.5 milionë euro në makineri dhe pajisje. Por me këtë lloj regjimi tatimor, Malo shprehet se vendi është bërë aspak tërheqës për të bërë biznes. Përveç vështirësive brenda vendit, ai thotë se po hasin probleme edhe me eksportet. Izoterm është distributor kryesor në rajon, por për shkak të procedurës së vështirë të rimbursimit, e shikon tepër të vështirë vazhdimin normal të operimit.

Ndërsa Europa po shkon drejt subvencionimit të plotë për të bërë godinat eficiente në energji dhe kjo është një nga qëllimet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm, Shqipëria po shkon në kahun e kundërt. “Është shteti i vetëm në Europë dhe më gjerë që vendos të tilla taksa katastrofike për produktet ekologjike dhe me ndikim të jashtëzakonshëm për reduktim deri në 60% të humbjeve të energjisë në ndërtesa. Europa i subvencionon deri në 60% të investimit të tyre individët, bizneset që aplikojnë termo-izolimin në ndërtesa.

Madje edhe këtu, Bashkia e Tiranës ka filluar një projekt të tillë. Ky veprim kaq i verbër ka pasoja shkatërruese për operatorët e këtij biznesi, duhet theksuar që deri para 3-4 vitesh ky treg ka qenë inekzistent për arsye se ndërtuesit nuk donin të harxhonin dhe individët nuk kishin informacion teknik për përfitimet nga ndërtesat ekologjike”, – shprehet Malo.

Megjithatë, biznesi i termo-izolimit nuk është i vetmi që po preket nga ndryshimet në taksa, të cilat sipas aktorëve të tregut janë ndërmarrë pa u konsultuar me operatorët kryesorë të tregut.

Si po preken agropërpunesit nga ulja e rimbursimit 6% të TVSH-së te fermerët

Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Agropërpunuesve, thotë për “Monitor” se nga paketa fiskale kanë marrë goditjen më të madhe për shkak të uljes së TVSH-së për fermerin në 6% nga 20% që u vendos në 2014. “Për sektorin tonë, kjo do të jetë goditja e dytë pas euros, -shprehet Zusi. Me këtë vendim rriten kostot për lëndët e para të produkteve vendase me 14%, duke i bërë ato jokonkurruese. \Ulja e rimbursimit të TVSH-së për fermerët ka prekur edhe sektorin e bimëve mjekësore.

Filim Gjoka, president i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, tha se me uljen e rimbursimit të TVSH-së për fermerin, ata kanë frikë se do të ketë një ulje të prodhimit të bimëve mjekësore dhe erëzave. “Për ne është shqetësuese mënyra e përshpejtuar që kaloi ky ligj dhe për më tepër, pa u konsultuar. Ligji ka ulur kompensimin për fermerët nga 20% në 6%, duke u justifikuar me faktin se kanë ulur TVSH-në për inputet bujqësore. Ky ligj nuk është konsultuar me shoqatat e biznesit në tërësi. Futja e kompensimit për fermerët rriti prodhimin dhe bëri që ne të kishim sasi të mjaftueshme për t’ju drejtuar tregjeve dhe kompanive gjigande”,- tha Gjoka.

Rreziku është humbja e tregjeve ndërkombëtare, duke qenë se interesi nga ana fermerëve për të kultivuar do të jetë më i vogël, sipas aktorëve të tregut. “Frika jonë më e madhe është rënia e prodhimit nga fermerët. Deri para 2014-s, një pjesë e fermerëve punonin të paregjistruar. Reduktimi në masën 14% i kompensimit të TVSH-së është i pastudiuar dhe unë mendoj se nuk është në momentin e duhur”, – tha Filip Gjoka.

Ai nënvizon se vendi ynë ka mbështetjen dhe subvencionimin më të vogël krahasuar edhe me vendet e rajonit si Maqedonia apo Kosova.

“Nëse do të ishte marrë mendimi ynë si organizatë, mbase do të ishte më mirë që nga 20% të ulej në 15%, por jo në mënyrë të menjëhershme. Fermerët dhe individët që kanë investuar në bujqësi përballen me një ndryshim të beftë të ligjit. Ndryshimi duhej të ishte gradual për fermerët. Ashtu siç dha ndryshimi i ligjit në 2014-n një rritje të madhe në prodhim, ulja e menjëhershme do t’i japë një goditje në kahun e kundërt. Ne si industri nuk përdorim inpute bujqësore, pasi industria jonë merret me bimë organike dhe konsumatorët këtë kërkojnë në mbarë botën” – përfundon Gjoka.

Efekti i pagës minimale, rriten kostot e biznesit fason

Vendimi për rritjen e pagës minimale duket se prek më së shumti kompanitë fasone. Ndërsa bizneset e tjera shprehen se prej kohësh e kanë kaluar pragun e nivelit minimal në listë – pagesat e tyre. Për kompanitë fason, të cilat aktualisht janë kryqëzuar nga nënçmimi i euros, rritja e pagës minimale rrit kostot e operimit të aktivitetit të tyre, duke i dhënë goditjen finale dhe duke i çuar drejt falimentit.

Florian Zekja, përfaqësues i kompanive fason, tha se ky vendim do të ndikojë në kostot e ndërmarrjeve. “Ne do të duhet të rrisim pagat për të gjithë të punësuarit në ndërmarrjet fason dhe në të njëjtën kohë, do të rriten edhe pagesat për kontributet. Është një efekt domino që na vështirëson përllogaritjen e kostove në kontrata tona”, – tha Zekja për “Monitor”. Sipas Florian Zekja, kjo gangrenë do të vazhdojë derisa të rregullohet me ligj kategorizimi i punëtorëve dhe të ketë një strukturë të mirëpacaktuar të pagave sipas kategorive.

Gjergji Liqezja, administrator i kompanisë fason Shqipëria-Trikot, tha se rritja e pakonsultuar dhe në mënyrë të menjëhershme e pagës minimale nga 24 mijë në 26 mijë lekë është skandaloze. “Nuk bëhet fjalë për vlerën 2 mijë lekë, me të cilën është bërë rritja, por mua më intereson mënyra e të menduarit. Në të vërtetë rritja është më e lartë, sepse kur ti rrit pagën, rrit edhe pjesën e kontributeve që do të derdhen në arkën e shtetit si sigurime shoqërore dhe punëdhënësi duhet të paguajë edhe më shumë kontribute.

Rritja është pak a shumë 2300 lekë nga lëvizja e pagës minimale, çka përkthehet në rritje me 9% të kostos së punës. Kjo logjikë e të menduarit nuk është jashtë normales. Unë jam dakord që punonjësit duhet të paguhen më mirë, por këtë vendim nuk mund ta marrë shteti pa u konsultuar. Pagën e vendos tregu dhe në këtë rast janë dy rritje të njëpasnjëshme që janë bërë së fundmi dhe rritja duhet të ecë edhe me logjikën e rentabilitetit të biznesit, pra nëse e pranon situata e tregut një lëvizje të tillë apo jo,”- u shpreh Gjergj Liqezja.

Për Alban Zusin, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, ky vendim do të ulë konkurrueshmërinë e bizneseve dhe do të ulë investimet. I kontaktuar nga “Monitor”, Zusi tha se qeveria nuk është konsultuar, dhe se ky vendim godet biznesin prodhues dhe eksportuesit. “Bizneset po detyrohen që të rrisin pagën artificialisht. Automatikisht po krijohet një kosto ekstra për kompanitë. Kompanitë i rrisin pagat për të qenë konkurrues, me qëllim që të marrin punëtorët më të mirë, por rritja duhet të vijë duke i krijuar mjedis të përshtatshëm për të bërë biznes kompanitë”, – tha Zusi.

Zusi përllogarit se 10-15% e punëtorëve në sektor janë në pagë minimale dhe vendosja e pagës minimale iu rrit kostot artificialisht.

Rritja e tavanit të pagës minimale thellon paaftësinë e biznesit për të qenë konkurrues dhe gjithashtu minimizon aftësitë për të riinvestuar dhe për të hapur vende të reja pune, shtoi Zusi.

“Paga minimale nuk rritet me urdhra administrativë, por duke krijuar mjedisin e përshtatshëm për bizneset për t’u rritur. Tregu i punës është jashtëzakonisht konkurrues, pasi ne luftojmë për të mbajtur punonjësit. Ky vendim prek më së shumti bizneset eksportuese”, – thotë në fund ai.

Paga maksimale “zhvlerëson” rritjen e kufirit të taksimit për pagat e larta

Rritja e pagës minimale, e cila pas një vendimi të Këshillit të Ministria u bë 26 mijë lekë nga 24 mijë lekë që ishte më parë, shoqërohet dhe me rritje të pagës maksimale, për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë që do të rriten kostot edhe për bizneset që kanë të punësuar me paga të larta.

Tatimet kanë sqaruar se paga maksimale për efekt të kontributeve shoqërore indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet edhe paga minimale në shkallë vendi. Paga minimale është rritur me rreth 8.3% (nga 24,000 në 26,000 lekë), kjo nënkupton që edhe paga maksimale do të rritet me rreth 8.3%, duke shkuar në 114,670 lekë, nga 105,850 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 8,820 lekë.

Tatimet sqarojnë se paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, do të jetë si më poshtë vijon:

jo më pak sesa paga minimale mujore, e barabartë me 26,000 lekë dhe deri në 114,670 lekë, për personat e punësuar.

jo më pak sesa paga minimale mujore, e barabartë me 26,000 lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në 114,670 lekë, për personat e vetëpunësuar.

e barabartë me pagën minimale mujore prej 26,000 lekë, për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon dhe bashkëjeton ligjërisht.

Rritja e pagës maksimale për efekt të pagimit të kontributeve përbën një shtim të kostos së sigurimeve që paguhet si nga punëdhënësi ashtu dhe punëmarrësi, duke “zhvlerësuar” efektin pozitiv që ka rritja e kufirit të pagës që taksohet me 23%, nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë.

Konkretisht, p.sh., për një pagë bruto rreth 150 mijë lekë, paguheshin gjithsej rreth 31 mijë lekë sigurime shoqërore e shëndetësore (nga punëdhënësi e punëmarrësi) dhe 17.7 mijë lekë tatim mbi të ardhurat, me një pagë neto prej 120 mijë lekësh. Me ndryshimet e reja (rritja e pagës maksimale dhe e kufirit të taksimit për TAP), kontributet në total të sigurimeve, nga punëdhënësi e punëmarrësi rriten në 33 mijë lekë, ndërsa TAP zbret në 15.6 mijë lekë. Efekti neto për punëmarrësin është pozitiv në rreth 1,160 lekë, nga 2,000 lekë që do të ishte në rast mosndryshimi të pagës maksimale. Ndërsa punëdhënësi ka një kosto shtesë prej rreth 1,300 lekësh për pagimin e pjesës së kontributeve të sigurimeve që paguhet nga punëdhënësi.

Madje, për punonjësit që kanë një pagë bruto mujore midis 110 mijë lekë dhe 130 mijë lekë, dhe që nuk përfitojnë nga ndryshimi i kufirit të TAP, ka një rënie të lehtë të pagës mujore neto (shiko tabelën në fund).

Taksa të reja në sektorin e ndërtimit, pse çmimet nuk do të ulen

Taksën e strehimit social prej 3% të sipërfaqes së projektit, ndërtuesit e kanë cilësuar si diskriminuese që në fillim të herës. Kjo taksë, e cila pritet që të hyjë në zbatim këtë vit, pritet që të transferohet në çmimin final të apartamentit. Sektori i ndërtimit ka pasur një ecuri pozitive gjatë dy viteve të fundit për shkak të dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë. Megjithatë, aktorët e tregut shprehen se sektori është ndër më të prekurit nga taksat e larta. Taksa e infrastrukturës, e cila u ndryshua nga 4% e kostove të ndërtimit në 8% të çmimit të shitjes në 2015-n, ishte një prej faktorëve që rriti çmimet e apartamenteve të reja.

Sokol Kika thotë se, pavarësisht se u përpoqën që ta negocionin vendosjen e taksës së strehimit nëpërmjet Shoqatës së Ndërtuesve në vend për vjeljen e saj në një formë tjetër, nuk arritën në një marrëveshje me qeverinë. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar që në formë solidariteti të paguajnë 1% më shumë si tatimfitim, por që nuk ka arritur një marrëveshje. Edhe përfaqësuesit e kompanisë Kontakt pohojnë se taksat janë arsyeja kryesore për rritjen e çmimit.

Përveç taksës së infrastrukturës dhe taksës së aplikueshme pas 1 janarit për krijimin e fondit për strehimin social, ndërtuesit shprehen të shqetësuar edhe për tarifën mbi mbetjet inerte. Sokol Kika thotë se kostot për një metër kub janë 2000 lekë. Enida Bezhani, përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë, tha se kompanitë e ndërtimit janë të shqetësuara në lidhje me taksat. “Na ngrihen shqetësime mbi taksën e infrastrukturës në ndërtim, taksa e ndikimit paguhet paraprakisht, duke krijuar një barrë për kompanitë. Nga data 1 janar, edhe ndërtuesit duhet të kontribuojnë 3% për strehim social, që kjo do të sjellë një ngarkesë tjetër për biznesin, tha zonja Bezhani. Një tjetër shqetësim që ajo ngriti është edhe taksa mbi lëvizjen e dherave, e cila rëndon në kostot e kompanive të ndërtimit.

Individët që kanë disa biznese të vogla rrezikojnë të kalojnë si i madh

Me argumentimin se po shmangin evazionin fiskal, është marrë vendimi në ndryshimin për ligjin e procedurave tatimore se asnjë individ nuk mund të ketë më shumë se një numër identifikimi biznesi (NIPT). Në rast se individi kryen aktivitetin ekonomik në disa adresa të ndryshme, apo ushtron disa lloj aktivitetesh, do të mundet që të operojë nëpërmjet NIPT-eve sekondare.

Por, automatikisht kjo mund të rrisë përgjegjësinë tatimore tek individët. Për shembull, nëse një individ ka tre aktivitete biznes i vogël, që qarkullojnë p.sh., nga 5 milionë lekë secili, nëse kjo gjë konstatohet nga tatimet, ai do të duhet që t’i kalojë ato në një NIPT, duke ndryshuar kështu edhe përgjegjësinë tatimore. Konkretisht, subjektet e një individi kalojnë nga tre të vegjël në një të madh, duke paguar tatimfitimin 15%.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.

Administrata Tatimore ka të drejtë të përdorë mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe të nxjerrë një vlerësim kur tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit, dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT/NUIS.

Personi fizik tregtar i pajisur me NIPT/NUIS, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re.

Çmimi i energjisë për bizneset edhe mund të dyfishohet, si efekt i liberalizimit

Kostoja e energjisë është kthyer së fundmi në dhimbje koke për biznesin. Të paktën ata që janë të lidhur në tension 35 kilovolt në fillim të vitit të shkuar u detyruan me forcë të dilnin në treg të lirë, duke iu kërkuar që energjinë ta sigurojnë të vetëm. Dalja në këtë treg është një thikë me dy presa që, ashtu sikurse pritej, ka rezultuar me një kosto të lartë. Deri në dhjetor 2017, ata furnizoheshin nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me një tarifë 9.5 lekë/kwh, sot çmimi i tyre ka ardhur gradualisht në rritje, duke kulmuar në nëntor me 16 lekë/kwh, pothuajse dyfish ndërkohë që gjasat janë që çmimi të jetë edhe më i lartë për dhjetorin.

Liberalizimi, edhe pse një proces i parashikuar si pjesë e reformës, ka gjetur të papërgatitur rreth 90 biznese, që janë të lidhur në tension 35 kilovolt, të cilët në pjesën më të madhe të tyre nuk kanë gjetur furnizues të interesuar për t’ju ofruar atyre shërbim. Aktualisht ata e marrin energjinë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, një njësi e dedikuar e OSHEE-së, e cila prokuron sasinë e nevojshme për këtë grup, përfshin edhe kostot e tjera të procedurës, bashkë me një marzh minimal fitimi dhe u faturon atyre çmimin final. Në argumentet që dha qeveria në nisje të procesit të liberalizimit ishte fakti që bizneset mund të hyjnë në marrëdhënie individuale me kompani prodhuese apo furnizues, duke siguruar energji me një kosto më të ulët.

Kjo është e vërtetë vetëm kur vitet hidrike janë shumë të mira. Por vitet e fundit kanë treguar se Shqipëria, pavarësisht situatës, një pjesë të mirë të energjisë e importon duke u ekspozuar kështu drejtpërdrejt ndaj kostove të larta të blerjeve në bursa. Konkretisht, nga fillimi i vitit 2018, bizneset asnjëherë nuk e blenë energjinë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit me një kosto nën 9.5 lekë, një çmim dysheme që iu vendos nga ERE si një praktikë për të dekurajuar qëndrimin në këtë lloj procesi dhe për të nxitur daljen dhe sigurimin e energjisë në treg të lirë. Në muajt e verës, biznesi do të paguante energjinë 35% më shtrenjtë me një tarifë që arriti 12.86 lekë për të kulmuar, ashtu sikurse shihet së fundmi, me çmimin gati dy herë më të lartë.

Rritja e kostos së energjisë padyshim që nga biznesi reflektohet tek rritja e çmimit final te produktet. Ndikimi pritet të jetë më i madh nëse bizneset e grupit të dytë, ato 20 kilovolt, nuk do të arrijnë të sigurojnë energji të vetme të treg. Shumica e tyre janë biznese prodhuese dhe agropërpunuese me një konsum të lartë, që mund të ketë një efekt zinxhir deri te çmimi që produkti i shitet konsumatorit final.

Korrupsioni, tarifat e fshehura dhe burokracia na kushtojnë më shumë se taksat

Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë: Nëse bëjmë një llogaritje të shumave që industritë prodhuese paguajnë në një vit si tarifa për procedurat ligjore, shpenzime të ndryshme për të kryer procese burokratike me entet publike apo edhe pagesa informale ndaj zyrtareve të shtetit, do të shohim se pagesa e tatimit mbi fitimin dhe mbi dividentin nuk është për t’u marrë fare në konsideratë

Në ditët e sotme, flitet shpesh se si fiskaliteti ndikon në aftësitë konkurruese të vendeve. Në fakt, fiskaliteti është një ndër elementet që ndikon pozitivisht apo negativisht në konkurrueshmërinë e tregjeve. Sipas një studimi paraprak të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, një ndër elementet kryesore, por që deri më tani nuk është marrë shpesh në konsideratë, në lidhje më konkurrueshmërinë është çështja e kostove të fshehura. Këto nuk janë kostot e prodhimit, por janë kostot e procedurave dhe të burokracisë dhe korrupsionit. Industritë prodhuese ndeshen çdo ditë me tarifa të cilat janë pjesë e një procedure ligjore dhe shpesh të pakuptimta. Këto procedura burojnë kryesisht nga ligjet në fuqi, por marrin trajtën teknike nga aktet nënligjore në zbatim të ligjeve. Shumica e këtyre procedurave dhe tarifave përkatëse nuk janë aspak të konsultuara me sipërmarrjen, madje ekzistojnë procedura dhe tarifa tashmë shumë të vjetruara, të cilat përdoren nga zyrtarë të korruptuar për të vështirësuar aktivitetin e përditshëm të sipërmarrjes.

Nëse bëjmë një llogaritje të shumave që industritë prodhuese paguajnë në një vit si tarifa për procedurat ligjore, shpenzime të ndryshme për të kryer procese burokratike me entet publike apo edhe pagesa informale ndaj zyrtarëve të shtetit, do të shohim se pagesa e tatimit mbi fitimin dhe mbi dividentit nuk është për t’u marrë fare ne konsiderate.

Natyrisht që sipërmarrja është gjithmonë e interesuar të ketë një ngarkesë fiskale të ulet, me qëllim që të ketë më shumë mundësi për të krijuar vende pune dhe të riinvestojë, por sëmundja e heshtur që po e shkatërron entuziazmin dhe optimizmin e sipërmarrjes prodhuese burokracia, korrupsioni dhe procedurat e tepruara.

Diskutojmë shpesh për procesin e inspektimit ndaj sipërmarrjes por vijojmë të vonojmë reformën në inspektim. Kjo duhet të shërbejë si një këmbane alarmi për qeverisjen pasi sfidat e integrimit rajonal dhe atij europian janë të shumta dhe kërkojnë bashkëveprim të të gjithë aktorëve për të pasur sukses./Monitor/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...