Në Prishtinë janë mbajtur homazhet për Arian Dacin, zëvendësministrin e Diasporës në qeverinë e Kosovës, i cili humbi jetën dje djeshme teksa ishte duke bërë ski në Brezovicë së bashku me disa miq të tij. Pjesë e homazheve për Dacin kanë qenë krerët më të lartë të shtetit, si presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe deputetë e personalitete të tjera.
Haradinaj, tha se Ariani kishte vlera të larta njerëzore dhe i shërbeu Kosovës me devotshmëri.
‘Qeveria ka humbur një zyrtar të zellshëm, Prishtina e humbi një djalë të ri një qytetarë shembullor. Ariani e ka dashur këtë vend dhe i ka shërbyer me devotshmëri’.
‘Shpirti i bardhë i Arianit u nda nga ne në bardhësinë e borës. Ai ishte i dalluar për vlera të larta njerëzore, i jemi përjetësisht mirënjohës për shërbimin ndaj atdheut. Lamtumirë Arian’, ka thënë Haradinaj.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta, është tronditës.
‘Ky është pa dyshim fjalimi më i rëndë në jetën time. Unë ende nuk po mund të besoj, ne që jemi shoqëruar me Arianin e ndajmë me familjen pikëllimin. Ai ka qenë dora e djathtë e ministrisë, por me të ke mund të qash edhe hallin për çështje private’, tha ai.
Vajza e Nexhat Dacit dhe motra e të ndjerit është shprehur:
Në emër të familjes dhe vëllait tim, ju falënderojmë për përkrahjen, ngushëllimet dhe prezencën tuaj. Faleminderit me shpirt.
Ndërkohë që në këto homazhe nuk munguan as lotët e deputetëve.
Besa Gaxherri nga LDK-ja, nuk i ka përmbajtur lotët pasi u ka shprehur ngushëllime familjarëve të zëvendësministrit të ndjerë.