Heroina në Shqipëri shitet në mes të ditës, afër shkollave dhe gjykatave, ndërsa gjendet më lehtë sesa një paketë cigaresh.
“Fiks Fare” arriti të depërtonte në rrjetin e shpërndarësve në Tiranë dhe Korçë, duke zbuluar funksionimin e këtyre grupeve.
Shpërndarësit kishin arritur që të krijonin një perimetër sigurie, ku çdo individ duhej që të kalonte në “skaner”. Ai duhej të ishte një person i njohur dhe përdorues i lëndëve narkotike.
“Fiksi” ndoqi një ditë të zakonshme të një përdoruesi të lëndëve narkotike, i cili tashmë është bërë i varur nga përdorimi i heroinës. Ai tha se ka vite që e konsumon, ndërsa ka edhe pasoja nëse nuk e përdor; dhimbje mesi, dhëmballe, koke, të vjella, dridhje trupi.
Sipas tij, heroina në Tiranë dhe rrethe blihet brenda dhe jashtë shkollave. Bashkëpunëtori dhe grupi i “Fiks Fare” shkuan në disa pika në Tiranë dhe në Korçë, duke kërkuar në mes të ditës. Rezultatet ishin befasuese: në mes të ditës, heroina shitej lirshëm.
Në dy nga 3 raste që dokumentoi “Fiks Fare” në Tiranë, heroina shitej afër shkollave 9-vjeçare.