Anemia tek fëmijët shqiptarë po kthehet në një shqetësim serioz

Hënë, 04 February 2019 08:55

Produktiviteti i kapitalit njerëzor po cenohet nga cilësia e dobët e jetesës, e cila gjatë dekadës së fundit ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit te fëmijët.

Gjatë  2008-2018, anemia te fëmijët e moshës 3-59 muajsh është zgjeruar ndjeshëm nga 17% më 2008 në 25% në 2018, zbuloi një anketë e Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për shëndetin e popullatës.

Anemia krijohet nga nivele të ulëta të hemoglobinës në gjak. Hekuri është një komponent kyç që përbën hemoglobinën dhe mungesa e tij vlerësohet të jetë përgjegjëse për më shumë se 50% të anemisë në rang global.

Shkaqe të tjera e anemisë janë kequshqyerja, infeksionet dhe trashëgimia gjenetike etj. Anemia është një shqetësim serioz për fëmijët, sepse mund të pengojë zhvillimin dhe të rrisë ekspozimin ndaj sëmundjeve, sidomos atyre ngjitëse.

Anketa gjeti se një në katër (25%) fëmijë të moshës 6-49 muajsh janë anemike, pasi hemoglobina ishte nën normë. Rreth 17% e fëmijëve u evidentuan me anemi të butë, 7% janë anemike të moderuar dhe më pak se 1% e tyre janë me anemi të rëndë.

Prevalenca e anemisë është më e lartë te fëmijët (6-17 muaj) se sa të tek të rriturit 18-59 vjeç.

Në grupmoshën 9-11 muajsh, rreth 42% e fëmijëve ishin anemikë.

Prevalenca e anemisë është më e lartë në zonat rurale (27%) sesa në zonat urbane (22%)

Anemia ishte më e përhapur në Qarkun e Dibrës me 44% e fëmijëve të moshës 6-59 muaj ishin te përfshirë. Më pas me nivelin më të lartë të anemisë ndër fëmijë u rendit Qarku i Vlorës me rreth 35% të fëmijëve, Qarku i Elbasanit me 28% të fëmijëve dhe Qarku i Gjirokastrës me 28%.

Niveli më i ulët i anemisë ishte në Tiranë me 18 % të fëmijëve dhe ne qarqet e Lezhës dhe Fierit përkatësisht me nga 20% secila.

Shqetësues mbetet fakti se anemia te fëmijët ështe rritur gjatë dekadës. Arsyet kryesore lidhen me mosushqyerje me gji dhe kequshqyerjen në tërësi.

Mossigurimi i ushqimit në familje luan rol në kequshqyerjen e fëmijëve shqiptarë. Sipas një studimi mbi ushqyerjen të kryer në vitin 2010 në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në zonat periferike të Tiranës, 34-43% e familjeve kishin vështirësi në sigurimin e ushqimit për familjet e tyre gjatë vitit.

Së fundi, kequshqyerja u gjet shkaktar për një të tretën e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri, dhe barra e kequshqyerjes mbi ekonominë kombëtare mund të arrijë një shifër vjetore prej 100 milionë USD ose 0.7% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Për çdo USD të investuar në parandalimin e kequshqyerjes, Shqipëria mund të kursejë 4 USD në të ardhmen.

Anemia shkakton pamjaftueshmëri të rruazave të kuqe, të cilat shërbejnë për të transportuar oksigjenin në të gjithë trupin. Oksigjeni furnizon me energji muskujt dhe organet e tjera të trupit. Mungesa e oksigjenit shkakton dhe lodhjen apo dobësinë trupore.

Anemia shkakton lodhje fizike, dhimbje koke, mungesë përqendrimi, vështirësi në frymëmarrje, marrje mendsh. Simptomat e anemisë janë lodhja, përgjumja, marramendja, zbehja e lëkurës, mishit të dhëmbëve, thonjve dhe shuplakave, puna e shpejtuar e zemrës, ndjenja e të ftohurit, veçanërisht të ekstremiteteve, pikëllimi, depresioni, çrregullimi i gjumit dhe humbja e oreksit.

Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se fëmijët kanë nevojë për vitaminë A, e cila i ndihmon ata në rezistencën ndaj sëmundjeve mbron shikimin e tyre dhe zvogëlon rrezikun për humbjen e jetës. Vitamina A gjendet në shumë fruta dhe perime, vezë, produkte qumështi, mëlçi, peshk, mish, ushqime të fortifikuara dhe qumështi i gjirit. Fëmijët kanë nevojë për ushqime të pasura me hekur për të zhvilluar aftësitë e tyre fizike dhe mendore dhe për të parandaluar aneminë. Burimet më të mira të hekurit janë ushqimet shtazore, të tilla si mëlçia, mishi dhe peshku. Burime të tjera të mira janë perimet jeshile me gjethe, ushqime të fortifikuara me hekur dhe shtesa hekuri.

Ekspertët e Shëndetit Publik referojnë se informacioni i mbledhur mbi konsumin e fëmijëve nën dy vjeç është i dobishëm për vlerësimin e shkallës në të cilën fëmijët po konsumojnë grupe ushqimesh të pasura me dy mikronutriente kryesore-vitamina A dhe hekur.

Në mesin e fëmijëve të moshës 6-23 muajsh që jetonin me nënën e tyre, 79% konsumonin ushqime të pasura me vitaminë A dhe 69% konsumuan ushqime të pasura me hekur në 24 orët para sondazhit./Monitor

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...