Guvernatori Sejko: Ekonomia po ngadalësohet

E mërkurë, 06 February 2019 17:50

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko pohoi sot se monedha vendase leku do të vijojë të mbiçmohet edhe në gjysmën e parë të këtij viti. “Efekti i mbiçmimit të lekut do të jetë i pranishëm edhe gjatë 6 muajve të parë të 2019, por do të shuhet në pjesën e dytë të vitit”, tha Guvernatori në konferencën për mediat menjëherë pas mbledhjes së këshillit të Mbikëqyrjes, ky njoftoi se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar në 1%.

Guvernatori tha se, kërkesa agregate po rritet, duke sjellë rritjen e prodhimit dhe punësimit, teksa politika monetare po jep kontribut pozitiv.

Banka vlerëson se informacioni i ri për ekonominë është në përputhje me parashikimet.

Pozicioni ciklik i ekonomisë do të përmirësohet më tej, shtoi ai. Ekonomia shqiptare u rrit me 4.25 % në tremujorin e tretë, e nxitur nga konsumi, eksportet dhe prodhimi i energjisë.

Të dhënat sugjerojnë se ekonomia ka vijuar edhe në tremujorin e katërt, por me një ritëm më të ngadaltë se në tremujorin e tretë.

Projeksionet afatmesme nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme, njoftoi Sejko.

Politikat e brendshme mbeten stimuluese, për shkak edhe të ambientit të favorshëm të interesat, ndërsa primet e rrezikut janë në rënie.

Bankat po karakterizohen nga nivele të mira likuiditeti. Kredia ka shfaqur shenja rigjallërimi. Stoku i kredisë e zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit dhe fshirjet e bankave nga bilancet pësoi rritje me 5.9%, raportoi Guvernatori.

Në përputhje me këto trendë, ekonomia shqiptare do të vijë me rritje në tre vitet e ardhshme.

Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2020. Balanca e rreziqeve ka shkuar në krahun e mëposhtëm.

Banka gjykon se kursi aktual i politikes monetare është i përshtatshëm, njoftoi Sejko. Ai tha se politika monetare do të jetë stimuluese edhe në periudhën afatmesem, ndonëse me intensitet me të ulët.

 

FJALA E PLOTE E GUVERNATORIT

Informacioni i ri ekonomik dhe monetar i marrë në analizë, sugjeron se ekonomia shqiptare vijon të ndjekë një trend pozitiv zhvillimi. Kërkesa agregate ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, duke sjellë rritjen e prodhimit, zgjerimin e punësimit dhe përmirësimin e ekuilibrave kryesorë ekonomikë dhe financiarë të vendit.

Politika jonë monetare ka vijuar të japë një kontribut pozitiv, nëpërmjet gjenerimit të një ambienti financiar me norma të ulëta interesi, si dhe nëpërmjet frenimit të presioneve mbiçmuese mbi kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se informacioni i ri ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona.

Inflacioni shënoi një rënie të lehtë në tremujorin e fundit të vitit 2018. Norma mesatare e tij zbriti në 1.8% gjatë tremujorit të katërt, kundrejt vlerës 2.2% të shënuar në tremujorin paraardhës. Kjo rënie pasqyroi goditje të përkohshme të ofertës dhe përcjellje më të plotë në inflacion të efektit frenues që vjen nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Ky efekt do të vijojë të jetë i pranishëm edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, por ai pritet të shuhet në periudhën pasuese.

Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste, afatmesme dhe afatgjata, janë drejt forcimit, sikundër ilustrohet nga treguesi i inflacionit bazë. Me gjithë luhatjet, ky tregues shfaq një tendencë graduale konvergimi drejt ekuilibrit. Kjo ecuri diktohet nga përmirësimi i mëtejshëm i pozicionit ciklik të vendit, i pasqyruar si në tendencën rënëse të normës së papunësisë, ashtu dhe në përmirësimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me prej 4.45%, gjatë tremujorit të tretë të vitit të shkuar. Kjo rritje është ushqyer nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit privat, investimeve dhe eksporteve, si dhe nga rritja vjetore e prodhimit të energjisë elektrike. Ajo është pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit në sektorët e industrisë, shërbimeve dhe ndërtimit. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia ka vijuar të rritet edhe në tremujorin e katërt, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë se ai i tremujorëve paraardhës. Analizat tona sugjerojnë se ky ngadalësim pasqyron një kontribut më të ulët të prodhimit të energjisë elektrike dhe pritet të jetë i përkohshëm.

Projeksionet tona afatmesme nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Trendet aktuale të zhvillimit ekonomik dhe faktorët ekonomikë e financiarë mbështetës të tyre, sugjerojnë se si ekonomia dhe presionet inflacioniste do të vijnë në rritje gjatë periudhës në vijim.

Ndonëse paqartësitë dhe rreziqet mbeten të pranishme, ambienti i huaj shfaqet përgjithësisht i favorshëm për rritjen ekonomike në vend. Kërkesa në rritje e ekonomisë botërore vijon të favorizojë rritjen e eksporteve shqiptare dhe kostot e financimit mbeten relativisht të ulëta.

Paralelisht me të, miksi i politikave të brendshme mbetet stimulues.

Si pasojë e kursit stimulues të politikës monetare, normat e interesit të depozitave, kredive dhe letrave me vlerë të qeverisë, mbeten në nivele të ulëta historike. Po ashtu, situata e likuiditetit në tregjet financiare ka ardhur në përmirësim dhe primet e rrezikut kanë ardhur në rënie. Kursi i këmbimit u shfaq i qëndrueshëm gjatë muajit janar, në sajë të një balancimi më të mirë të kërkesës dhe ofertës për valutë, si dhe të reagimit të Bankës së Shqipërisë. Së fundmi, sektori bankar vijon të karakterizohet nga nivele të mira likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmërie, ndërkohë që bilancet e tij vijojnë të përmirësohen. Në veçanti, raporti i kredisë me probleme zbriti në 11.1% në fund të vitit 2018, duke ilustruar trendin e qëndrueshëm të progresit të bërë në këtë drejtim.

Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat ka shfaqur shenja rigjallërimi, ndonëse stoku i raportuar në rënie i saj vijon të pasqyrojë efektin e pastrimit të bilanceve nga kreditë me probleme dhe atë të kursit të këmbimit. Duke përjashtuar këto dy efekte, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 5.9%, në fund të vitit 2018. Rritja e kredisë vijon të jetë më e shpejtë në segmentin e kredisë në lekë dhe në atë të kredisë për konsum. Ndërkohë, kredia për biznese shfaqi një rritje të shpejtë në muajin dhjetor, pavarësisht politikave më konservatore të kreditimit të aplikuara nga bankat në këtë segment.

Politika fiskale ka vijuar të ndjekë një kurs konsolidues. Të dhënat fiskale sugjerojnë se deficiti buxhetor zbriti në 1.6% të PBB-së në fund të vitit 2018, duke qenë 0.4 pikë përqindjeje më i ulët se niveli i planifikuar. Në përputhje me të, edhe stimuli direkt fiskal në ekonomi ka qenë më i ulët se niveli i pritur. Nga ana tjetër, ulja e huamarrjes totale të sektorit publik, si dhe mbështetja në tregun e huaj për financimin e një pjese të madhe të saj gjatë vitit të shkuar, kanë rritur hapësirat për kreditimin e sektorit privat.

Në përputhje me këto trende, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë tre viteve të ardhshme. Zgjerimi i kërkesës agregate do të sjellë rritje të mëtejshme të punësimit, duke krijuar premisa për rritje të pagave dhe të inflacionit të gjeneruar në vend. Paralelisht me të, frenimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit do të reduktojë presionet dezinflacioniste të ardhura prej tij. Në përputhje me këtë skenar zhvillimesh, inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Paralelisht me zhvillimet pozitive të pritura sipas skenarit bazë, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se balanca e rreziqeve vijon të mbetet e shmangur në kahun e poshtë. Në veçanti, ambienti i jashtëm, ecuria e kursit të këmbimit dhe ritmi i rritjes së kreditimit, mund të shmangin inflacionin në kahun e poshtëm të pritjeve tona.

***

Duke gjykuar mbi këta faktorë, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se kursi aktual stimulues i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në këto rrethana, ai vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.
Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm, ndonëse intensiteti i stimulit do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të përsërisë thirrjen për vijimin e reformave strukturore, si instrumenti më i mirë për nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...