Në kohën kur Prokuroria e Durrësit ka në duar ekspertizën mjeko-ligjore të kryer mbi 13-vjeçaren, viktimë e abuzimit seksual, avokatët thonë se Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur ka shumë forma shmangieje nga dënimet për të mitur, por jo në rastin e ngjarjes së Kavajës, theksojnë ata.
Kjo pasi, gjithë sa ka ndodhur me vajzën 13-vjeçare është një vepër penale.
“Djemtë e arrestuar nuk janë viktimat, janë kryerësit dhe personat në konflikt me ligjin. Viktima është vetëm vajza, e cila është dëmtuar dhe ka pësuar nga veprimet e tyre. Kodi i Drejtësisë Ligjore për të miturit parashikon në nenin 11 të tij që mosha e përgjegjësisë penale është nga 14 në 18 vjeç. Nuk kam pasur asnjë rast të tillë, që të ketë jo këto përmasa, por as përmasa më të vogla, në mosha të tilla kaq të vogla”, thotë Fatbardha Ajdari, avokate.
Ligji parashikon që, me gjithë krimin e kryer, adoleshentëve u jepet trajtimi i duhur psikologjik e social.
“Të gjithë personat që janë përfshirë me veprimet konkrete që kanë kryer, ligji parashikon: Nëse e mitura e dëmtuar është nën 14 vjeç, vepra penale parashikohet në nenin 100 të Kodit Penal, që parashikon një dënim që ka një marzh shumë të rëndë, jo më i vogël se 25 vite. Ndërsa, të gjithë të miturit nga 14 deri në 18 vjeç përgjigjen para ligjit vetëm për gjysmën e dënimit të parashikuar, pra ata janë jo më pak se 12.5 vite burg”, tha më tej Fatbardha Ajdari.
Vuajtja e dënimit për të miturit kryhet në Institucionin e të Miturve në Kavajë, qytetin ku ndodhi edhe ngjarja që tronditi ditët e fundit opinionin./tch