Një bandë trafikantësh droge e përbërë nga shqiptarë dhe belgë është shkatërruar në orët e para të ditës së sotme. Arrestimet janë bërë në Belgjikë dhe Zvicër.
Hetimi kishte nisur në Belgjikë nga Policia Gjyqësore Federale e Leuvenit, me mbështetjen e ‘EUROPOL’-it.
Në fund janë vënë në pranga dhjetëra persona. Autoritetet belge nisën hetimet në vjeshtën e vitit 2017, pasi policia kishte marrë informacione se një organizatë belgo-shqiptare do të trafikonte, import-eksport, sasi të mëdha lëndësh narkotike. Bastisjet policore që u kryen mes datave 4 dhe 6 shkurt rezultuan në arrestimin e 22 të dyshuarve dhe burgosjen e 6 të tjerëve nga autoritetet në Leuven. Policia ndërhyri në 24 banesa në Belgjikë, ndërsa në të njëjtën kohë u zhvilluan kontrolle edhe në Zvicër, raportoi këtë të premte ‘EUROPOL’.
Policia zbuloi 6 plantacione, me 4.500 rrënjë kanabisi gjithsej, ndërsa ajo që bie në sy gjatë operacionit ishte gjetja e një plantacioni kanabisi me 1.000 rrënjë brenda një ish-klubi striptizmi.
Ky plantacion ruhej nga dy të dyshuar me origjinë shqiptare. Ndërkohë, edhe në plantacionet e tjera ishin po shqiptarët që bënin roje, teksa qëndronin në mënyrë të paligjshme në vend.
Sa i përket operacionit, një sasi e madhe kanabisi, armësh zjarri, jelekësh antiplumb dhe 10 mijë euro ‘cash’ u sekuestruan nga forcat policore.