Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Margarita Xhepa është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kësisoj do t’i nënshtrohet ditën e premte një operacioni të vështirë në këmbë.
Në një bisedë telefonike për “Shqiptarja.com”, Xhepa është shprehur: “Sot mora analizat e gjakut, sepse jam në pritje të operacionit. Jam shumë sëmurë, nuk eci dot”. E njohur për natyrën e saj optimiste, aktorja tha më tej: “Të premten do të hyj në operacion dhe do Zoti e kaloj me sukses”.
Aktorja 87-vjeçare ka punuar vetëm gjashtë muaj më parë për xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve”, bazuar në romanin e shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli. Si protagoniste në të, Margarita Xhepa denoncon vrazhdësinë dhe diskriminimin ndaj gruas. Ky film, i cili është me skenar të Linda Fejzaj dhe regji të Spartak Pecanit, i ka mbyllur xhirimet në muajin shtator dhe tanimë është në pritje të premierës.